Politike

Kryebashkiaku i Kuçovës i dënuar, Bejko: Vetëm propozimi i Bashës për vetting e pastron politikën

Nënkryetari i PD-së zyrtare, Roland Bejko ka reaguar pas konfirmimit për një dënim penal të dhënë nga gjykata e Janinës në Greqi ndaj Kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari.

 “Përveç  mosdeklarimit sipas ligjit në deklaratën e dekriminalizimit, prej disa vitesh tashmë “spikasin” dhe disa kryetarë bashkish të tjerë të dënuar apo të marrë nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

 Edi Rama e ka shndërruar qeverisjen lokale në strehë të personave me precedentë penalë. Ndaj Partia Demokratike këmbëngul prej vitesh në pastrimin e qeverisjes nga këta persona përmes Ligjit të dekriminalizimit që si nismë e saj, ka qenë dhe është një histori suksesi, e që tashmë me iniciativën për Vettingun Politik që është dorëzuar nga Kryetari Lulzim Basha në Kuvendin e Shqipërisë, të quhet mision i përfunduar pastrimi i politikës dhe institucioneve shtetërore nga të korruptuarit dhe bashkëpunëtorët e krimit.

 Gara absurde mes mazhorancës dhe disa prej deputeteve të opozitës se kush shkel më shumë ligjin, është një garë kundër interesit të qytetarëve.

 U bëjmë thirrje partive parlamentare dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të ndahen njëherë e mirë nga praktikat e shkeljes së ligjit dhe të përkrahin ç’rrënjosjen e krimit dhe korrupsionit nga politika dhe qeverisja.

 Vota për vettingun politik në Kuvend, është votë për një Shqipëri larg tranzicionit të stërzgjatur!”, tha Bejko


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë