Lexo me "Si"

Kronika e një miqësie të dënuar

Nga Luis López Nieves - Gabriel Garcia Marquez-in e njoha në një librari në Kubë në vitin 1979. Sapo hyra tek dera e pashë në fund, duke parë me kuriozitet në raftin e romaneve kalorësiake. Impulsi im i parë ishte të afrohesha ta takoja, por në atë kohë unë nuk dija të flisja me njerëz të famshëm. Për më tepër, kujtova një anekdotë të vetë Garcia Marquez-it: kur i ri pa Julio Cortazar-in në një kafene në Paris, por nuk guxoi t’i fliste. Po ashtu kujtova që kisha lexuar se Garcia Marquez-it i pëlqente Kuba sepse ecte nëpër rrugët e saj pa i kërkuar kush autografe, as ta bezdisnin. Prandaj, i vura re për disa minuta mustaqet e famshme, flokët kaçurrele, setrën... dhe u ndjeva i kënaqur. Shkova të shihja te rafti i novelave franceze.

Kaloi më shumë se një orë. I lumtur sepse kisha gjetur novelat e Hygo-s dhe Daudet-it, e pyeta shitësin se ku ishin romanet egjiptiane. Garcia Marquez-i u kthye papritur dhe më pa me vëmendje, pa u fshehur.

- Autori? – pyeti shitësi.

- E ke romanin “Pasqyrimi”, të Mahfuz-it? – qe përgjigjja ime.

Pasi më dëgjoi për herë të dytë, Garcia Marquez-i, me katër romane kalorësiake në duar, erdhi drejt meje dhe më pyeti:

- Theksi yt është portorikan?

- Po.

- Oh, çfarë fati. Ke pak minuta?

- Patjetër, – iu përgjigja.

- Vendi yt më huton,k – tha Garcia Marquez-i i acaruar, me zë të ulët. – E di se cili jam?

- Sigurisht, “Njëqind vjet vetmi” më pëlqeu shumë.

- Faleminderit, – tha, - por ky është problemi. Dua të habis lexuesit, t’i lë me gojë hapur. Më kupton? Kam pasur njëfarë suksesi. Kritikët asaj që bëj i kanë vënë emrin: realizëm klasik. Por ju më lini të vogël. Librat e mi asnjëherë nuk do të shiten në Puerto Rico.

- Shiten mirë... – u përpoqa të sqaroja.

- Jo, nuk mund të shiten mirë, – më ndërpreu, – sepse asgjë nuk i habit portorikanët. Para disa muajsh lexova historinë e vendit tënd. Thoshte se në vitin 1898 ju i pritët të huajt me duartrokitje dhe limonada. Është e qartë që historianët e Puerto Rico-s shpikën realizmin magjik shumë më parë se unë. Më kanë ftuar të jap konferenca në San Juan, por, si mund ta habis një publik borik?

- Ndoshta mund t’ju ndihmoj.

- Si? Historianët kanë shpikur një gënjeshtër të pashoqe. Kush vend pret me limonada një pushtues?

- Tani për momentin nuk më vjen në mend asgjë, por më lër të mendohem, – thashë.

Shkëmbyem adresat dhe numrat e telefonave, i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe u ndamë.

Atë ditë filloi një miqësi e gjatë.

***

Katër vjet më pas, në vitin 1983, publikova tregimin tim “Seva”. Ia dërgova García Marquez-it me një shënim: “E sqaruar shkencërisht gënjeshtra e historianëve. Tani portorikanët nuk e besojnë rrëfimin që i pritëm pushtuesit me limonada. Mund të vish të japësh konferenca”.

Garcia Marquez-i më telefonoi disa ditë më pas. Me një zë me ankth, më tha se donte menjëherë të fliste personalisht me mua. Dy javë më vonë u takuam në Madrid, në Shtëpinë e Librit, përballë raftit të romaneve bizantine. Shkuam për një kafe në Gran Via:

- Faleminderit, Luis, libri yt më ndihmoi shumë, – tha Garcia Marquez, nervoz. – Por kam folur me disa portorikanë në Barcelonë. Më kanë treguar për një kryetare bashkie të San Juan-it, e cila bleu disa avionë plot me dëborë në Shtetet e Bashkuara. Pastaj i hodhi mbi vogëlushët që prisnin në një park në San Juan. Qanë shumë sepse nxehtësia e shkriu borën, ndërsa zbriste dhe morën një banjë uji të pazakonshme. Parku u kthye në baltë. Është e mundur një çmenduri e tillë në një vend tropikal?

- Ndodhi, – pranova i turpëruar.

- Atëherë, si do ti që unë të vij e të vizitoj Puerto Rico-n? Vitin e kaluar më dhanë Çmimin Nobel, e dije?

- Patjetër. Doli në të gjitha gazetat.

- Tani presin më shumë nga unë, më kupton? Të falënderoj që ke shkruar atë libër për të më ndihmuar, por, si mund t’ia kaloj asaj kryetares së bashkisë? Në pjesën tjetër të botës librat e mi habisin, por në Puerto Rico do të talleshin me mua.

Heshta sepse Garcia Marquez-i ishte shumë i shqetësuar. I bleva një çokollatë me petulla dhe ndërrova temën. Dy orë më pas, u përshëndetëm.

***

Hera e fundit që u takova me García Marquez-in ishte në vitin 2005. Që nga Meksika dërgoi avionin e tij privat që të më merrte në San Juan. Të nesërmen pinim tequila në një restorant meksikan.

- Luis, – më tha, - nuk do të shkruaj dhe as do të telefonoj më. Nuk dua të kem asgjë të bëjë me Puerto Rico-n. Doja të ta thosha personalisht.

- Përse? – thirra i hidhëruar.

- Vazhdojnë të më vijnë ftesa nga vendi yt. Secila është një thikë. Më thuaj të vërtetën, pa eufemizma: është e vërtetë ajo e njëfarë Rossello?

- Përse e ke fjalën? – e pyeta i dërrmuar.

- Është e vërtetë se qe guvernator për tetë vjet dhe e transformoi qeverinë në një makinë vjedhjeje? Është e vërtetë që gjysma e kabinetit të tij janë të arrestuar, po ashtu dhe dhjetëra ndihmës, miq dhe funksionarë të të gjitha kategorive? Është e vërtetë se të gjithë vidhnin?

- Është e vërtetë, – i thashë me zë shumë të ulët.

- Atëherë, si është e mundur që e kërkuan prapë për guvernator dhe humbi vetëm për dy mijë vota? – thirri i alarmuar.

- Nuk di ç’të të them, – ula kokën.

- Puerto Rico më dëshpëron, Luis! Më lë të pafuqishëm. Në romanin tim “Vjeshta e patriarkut” mendova se kisha përshkruar një diktator ekscentrik, narcizist, të çmendur dhe të padurueshëm... por ky zotëri më lë të vogël, më bën qesharak përballë vendit tënd. Është e vërtetë se është shpallur Mesia?

- Është e vërtetë, Gabo, por në Puerto Rico kemi disa mesia.

- Disa? Disa?

I acaruar, me sytë e skuqur, Garcia Maqrquez-i u ngrit në këmbë dhe goditi tavolinën me grusht.

- Mjaft! – thirri. – Të vlerësoj, Luis, ke qenë një mik i mirë, por tani nuk dua të kem më asgjë të bëjë me Puerto Rico-n. Ju poshtëroni letërsinë time. Që nga sot e tutje vendi yt nuk ekziston më për mua.

Shkrimtari i madh iku pa më dhënë dorën. Kurrë nuk më telefonoi më, as nuk më shkroi.

Sot kujtoj bisedat tona të gjata për letërsinë franceze dhe romanet kalorësiake me nostalgji të dhimbshme. Nganjëherë kam shpresën që ish-miku im i famshëm të mendohet dhe të më telefonojë ose të më dërgojë avionin e tij privat që të takohemi në Madrid, Paris, Bogota apo Meksiko, si në kohët e bukura. Por sa herë që hap një gazetë të vendit tim njoh realitetin e hidhur nga i cili miqësia ime me Gabriel Garcia Marquez-in lindi e dënuar.

Luis Lopez Nieves (1950) hyri në mënyrë spektakolare në ambientin letrar në vitin 1984 kur publikoi tregimin historik “Seva”, i cili shkaktoi tronditje, e bëri për autorin e saj të njohur dhe u kthye në një nga sukseset më të mëdha letrare në Puerto Riko. Për më tepër, futi një modalitet të ri letrar të njohur si “historia e shndërruar”.

Në vitin 1987 publikoi librin me tregime “Të shkruash për Rafën”, i cili përmban tregime të njohura si “Ana e errët e hënës” dhe “Telefoni”. Në vitin 2000 libri me tregime historike Vdekja e vërtetë e Juan Pance de Leon (i cili përmban tregimin e famshëm “Konti i Ovandos”) fitoi Çmimin e Parë të Institutit Portorikane të Letërsisë (Çmimi Kombëtar i Letërsisë).

Në dhjetor të vitit 2005 Grupi Botues Norma publikoi romanin e tij Zemra e Volterit në koleksion prestigjioz “Letërsi ose Vdekje”, i cili ka marrë elozhe të mëdha në Amerikën Latine, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Në dhjetor të vitit 2006 Instituti i Portorikan i Letërsisë vendos një precedent duke i dhënë Luis Lopez Nieves për herë të dytë Çmimin Kombëtar, në këtë rast për Zemra e Volterit, i shpallur si libri më i mirë i vitit 2005.

Lopez Nieves është doktor në Letërsinë Krahasuese nga Universiteti i Shtetit të Nju Jorkut në Stony Brook. Në vitin 2004 themeloi programin e parë të mësimit në Krijimin Letrar në Amerikën Latine (në Universitetin e Zemra e Shenjtë, San Juan në Puerto Riko), të cilin e drejton. PO ashtu është themelues dhe drejtor i Bibliotekës digjitale Ciudad Seva, portal interneti shumë i përshëndetur që ka një koleksion shumë të zgjedhur të më shumë se 3200 tregime klasike. Në vitin 2007 Universiteti Zemra e Shenjtë e emëroi “Shkrimtar Rezident”.

Vepra e tij është përkthyer në gjuhën holandeze, gjermane, angleze, islandisht, polake dhe italiane.

Përktheu nga spanjishtja: Meri Lika


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë