Politike

Kroacia: Shqipëria e meriton anëtarësimin në BE

Shqipëria e meriton anëtarësimin në BE sa më shpejt të jetë e mundur, tha ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliç Radman pas një takimi me ministrin e jashtëm shqiptar Igli Hasani, të martën në Zagreb.

“Shqipëria është plotësisht e lidhur me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian”, tha ministri i jashtëm kroat, duke shtuar se kjo pasqyron “angazhimin e tyre strategjik për anëtarësimin në BE”.

Grliq Radman e cilësoi bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve si “të shkëlqyer” dhe kujtoi se këtë vit po festojnë 15 vjetorin e anëtarësimit në NATO, si një vlerë “jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dy vendeve”.

Na ana tjetër, ministri shqiptar Hasani, në vizitën e tij të parë zyrtare në Zagreb, falënderoi Kroacinë për mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

"Kroacia është shembulli më i mirë se anëtarësimi në BE shpërblehet dhe ne duhet të punojmë në këtë rrugë. Modeli juaj është shembull dhe udhërrëfyes për ne për të zbatuar atë që ju keni zbatuar gjatë përpjekjeve tuaja për anëtarësim në BE", tha Hasani.

Kryediplomati i Shqipërisë vuri theksin edhe tek Ballkani Perëndimor duke deklaruar se përpjekjet e Shqipërisë synojnë që i gjithë rajoni të bëhet pjesë e këtij unioni.

"Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e reformave sikur pranimi në BE të ishte i afërt. Përpjekjet tona vazhdojnë të pandërprera, që synojnë të sigurojmë që rajoni, përfshirë Kosovën, të bëhet pjesë integrale e Bashkimit Evropian”.

Ministri shqiptar shprehu edhe mirënjohjen për mbështetjen e Kroacisë për Kosovën gjatë votimit për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.

Hasani po zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci ku u takua edhe me kryeministrin e vendit Andrej Plenković, të cilit i shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë drejt integrimit evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë