Para

Kriza tkurr kredinë konsumatore dhe atë për blerje banesash. Bankat shtrëngojnë kushtet

Qytetarët në tremujorin e dytë të këtij viti nuk e kanë parë kredinë si zgjidhjen më të mirë të mungesës së likuiditetit.

Kriza i ka trembur ata duke bërë hapa mbrapa drejt bankave.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për individë ka shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes në tremujorin e dytë, duke zbritur në 6.1% kundrejt 7.5% në tremujorin e parë.

Ky ngadalësim, sipas Bankës Qëndrore ka reflektuar kryesisht rënien e kërkesës për kredi nga individët në kushtet e pasigurisë së krijuar.

Sipas segmenteve të kreditimit, vihet re se kjo ecuri është përcaktuar nga goditja më e fortë që ka marrë kredia konsumatore dhe më pak ajo për banesa. Secili prej këtyre portofoleve u rrit me përkatësisht 2.9% dhe 6.8% në terma vjetorë në muajin qershor.

Ndërkohë që likuiditetit i çliruar për individët në termat e kredisë është rreth 3.5 miliardë lekë ose 0.2% të të ardhurave të disponueshme (të shpenzimeve konsumatore që ato bëjnë gjatë një viti).

Interesi i kredisë për individët shënoi gjithashtu rënie në tremujorin e dytë të vitit. Ai rezultoi 5.9%, nga 6.8% që regjistronte në tremujorin e parë dhe 6.5% vitin e kaluar.

 Individët kanë përfituar nga ulja e normave të interesit tek kategoria e financimit të konsumit, ndërkohë që interesat e kredisë për blerjen e banesave janë shfaqur të luhatshme edhe mesatarisht më të larta se në tremujorin e parë.

Normat e interesit kanë qenë më të larta për kredi për blerje banese në muajin prill, ndërkohë që në muajt maj dhe qershor, këto norma kanë rënë sërish.

 Diferencat mes interesave të kredisë në lekë dhe atyre në euro janë ngushtuar, si për bizneset ashtu edhe për individët, duke reflektuar kryesisht uljen e interesave të kredisë në lekë.

Interesat e kredisë për individët, prej 4.1% në këtë tremujor, nuk kanë ndryshuar nga tremujori i kaluar dhe mesatarja e vitit 2019. Pandemia dhe pasiguritë që ajo ka përçuar në ekonomi, i kanë detyruar bankat të ridimensionojnë intervalin e tolerancës kundrejt rrezikut, pra të shtrëngojnë kushtet dhe termat.  

Elementet joçmim nëpërmjet të cilave u shtrënguan kushtet e termat e kreditimit ishin madhësia më e ulët e kredisë për individët, si edhe reduktimi i maturitetit maksimal të saj.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë