Politike

Kriza s’rrezikon vetëm negociatat, OSBE: Parandaloni përshkallëzimin e tensioneve

OSBE vëren me shqetësim përshkallëzimin e krizës politike në Shqipëri dhe shpërfilljen e thirrjeve të saj për dialog dhe bashkëpunim në prag të marrjes së Presidencës së këtij organizmi nga ana e vendit tonë.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli fajëson klasën politike se po shndërron krizën e saj në një krizë kushtetuese me pasoja të rënda për integrimin e vendit.

“Pavarësisht thirrjeve tona të shpeshta, sot jemi dëshmitarë të përshkallëzimit të trazirave politike në Shqipëri, sidomos pas zhvillimeve të fundit që rrezikojnë që përplasjet politike t’i shndërrojnë në një krizë kushtetuese. Situata aktuale kërkon nga udhëheqësit politikë shqiptarë që të ulen në një dialog gjithpërfshirës, pa kushte dhe me mirëbesim. Qëllimi i parë i dialogut duhet të jetë parandalimi i përshkallëzimit të krizës dhe adresimi i shqetësimeve legjitime të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Presidentit të OSBE.

Nëse kjo nuk ndodh, OSBE paralajmëron për pasoja në imazhin ndërkombëtar të vendit, jo vetëm sa i takon procesit të integrimit në Bashkimin Europian, por edhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë ku Shqipëria bën pjesë. Një prej tyre është edhe vetë OSBE.

“Shqipëria po përgatitet që të marrë kryesimin e OSBE-së në 2020 dhe pret vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Është detyruese për udhëheqësit shqiptarë që të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë për arritjen e objektivave strategjikë, që mbështeten nga pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë”, thotë Tsereteli.

Në këtë deklaratë, Presidenti i OSBE-së, ashtu si pjesa më e madhe e ndërkombëtarëve deri më tani, ka qëndruar larg debatit për 30 qershorin dhe dekretit të Presidentit Ilir Meta, por bën thirrje që të respektohet kuadri ligjor.

“Kuadri ligjor në fuqi duhet të zbatohet dhe respektohet nga të gjithë udhëheqësit politikë. Aktorët politikë shqiptarë zotërojnë aftësitë e nevojshme për ta çuar vendin përpara dhe për të ofruar më të mirën e Shqipërisë në OSBE”, vijon deklarata.

Por, për këtë duhet së pari vullnet politik. Në situatën aktuale, pikërisht vullneti politik mungon dhe kjo është theksuar edhe në deklaratën e Presidentit të OSBE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë