Para

Kriza, shqiptarët nuk shpenzojnë, por kursejnë. Në qershor depozitat u rritën me 45 mln euro

Shqiptarët, ashtu si qytetarët e kombësive të tjera të botës e humbin besimin tek Ekonomia në përgjithësi në situate krizash, përpos faktorëve nga shkaqe të akumular, tanimë është shtuar edhe kriza nga Pandemia.

Këtë e reflekton edhe tkurrja e konsumit dhe kërkesa për kredi.

Po ashtu edhe depozitat, ku shqiptarët e zgjedhin si një formë kursimi pavarësisht interesave të ulët.

Këtë e pohon edhe Banka e Shqipërisë në raportin më të fundit.

Krahasimisht me një vit më parë, totali i depozitave të bizneseve dhe individëve në të gjitha monedhat është rritur me 6.1%, ose rreth 500 milionë euro. Një vit më parë, shtesa ishte rreth tre herë më e ulët (rreth 170 milionë euro).

Të dhënat tregojnë se në qershor depozitat shënuan rritje për të dytin muaj radhazi, duke mbërritur në afro 1.06 trilionë lekë, ose 8.5 miliardë euro, me një zgjerim prej 0.5%, ose 45 milionë euro më shumë, në krahasim me muajin e mëparshëm.

Rritja në muajin qershor ka ardhur gati e gjitha nga depozitat në lekë. Depozitat në valutë janë përmirësuar në mënyrë modeste.

Kursimet në lekë janë zgjeruar si rrjedhojë e rritjes së depozitave pa afat të bizneseve, të cilat u rritën me  7% me bazë mujore.

Likuiditeti në banka i bizneseve, edhe ai sipas ekspertëve të fushës tregon frikë dhe pasiguri e paqëndrueshmëri për vijimësinë e situatës në të ardhmen e afërt.

Të dhënat e BSH-së tregojnë se rritje të lehtë kanë pësuar dhe kursimet e individëve pa afat në lekë, që u zgjeruan me rreth 1% me bazë mujore.

Monedha zyrtare lek nuk është e preferuara e konsumatorëve shqiptarë, por ajo Euro.

Në fund të qershorit, depozitat në valutë përbënin 46.4% të totalit, pothuajse e pandryshuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë