Lajme

Kriza politike përfshin eurodeputetët, Pack sulmon Fleckenstein

Beteja dhe kriza politike që ka përfshirë Shqipërinë prej disa javësh, nuk është e shtrirë vetëm në frontin opozitë-mazhorancë brenda vendit, por edhe në Bruksel, aty ku Doris Pack dhe Knut Fleckenstein janë rreshtuar në kahët respektivë dhe janë përplasur me deklarata.

Presidentja e Forumit të Grave të PPE-së, me anë të një mesazhi në “Titter” ka kërkuar që të merren masa ndaj reporterit për Shqipërinë në rast se vërtetohen pretendimet se ai i ka kërkuar kandidatëve pasues në listën e PD-së, që të futen në Parlament pas djegies së mandateve nga opozita.

Pack thekson se ky akt është i papranueshëm dhe shkon në favor të qeverisë së PS. “Nëse është vërtetë se Fleckenstein ka kërkuar nga kandidatët e listës PD që të pranojnë mandatet, ky është akt i papranueshëm në favor te qeverisë socialiste. Parlamenti Europian duhet të marrë masë qortimi ndaj tij”, shkruan Doris Pack.

https://twitter.com/pack_doris/status/1102897987418771456

Por nëse eurodeputeti gjerman nuk ka replikuar akoma ndaj bashkëkombëses së tij, ajo që ka reaguar nga Brukseli është Monica Macovei, Kryetarja e Delegacionit të PE në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Ndryshe nga ç’prentendon opozita në akuzat e saj, Macovei nënvizon se Shqipëria po përparon me hapa të shpejtë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa shton faktin se qeveria e tanishme është në rrugën e duhur në transformimi e sistemit të drejtësisë.

“Në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit të PE në Komisionin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, unë besoj fuqishëm se Shqipëria po përparon drejt pranimit në BE dhe zbatimin e axhendës së reformave të BE. Unë besoj se qeveria e tanishme është në rrugën e duhur në transformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Reforma e drejtësisë ka prodhuar rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shprehet ajo.

Ndërkohë, në vijim Macovei kritikon opozitën për revoltën që ka ngjizur, duke thënë se po prish imazhin e Shqipërisë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

“Për fat të keq, veprimet më të fundit të opozitës rrezikojnë të rrënojnë ritmin e reformave të tilla dhe po dërgojnë mesazhin e gabuar te partnerët evropianë. Episodet e dhunshme në të cilat opozita ka sulmuar institucionet publike, si dhe gjuha që nxit dhunën e përdorur nga udhëheqësit e opozitës janë të papranueshme për çdo demokraci evropiane. Kjo është edhe më e rastësishme duke pasur parasysh statusin e vendit kandidat të Shqipërisë dhe vendimin e ardhshëm për të hapur apo jo negociatat e pranimit”, thekson ajo.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se “Parlamenti shqiptar duhet të jetë platforma e vetme për diskutim politik”.

“Deputetët e opozitës kanë tradhtuar votuesit e tyre duke hequr dorë nga mandatet e tyre dhe kanë provuar se opozita nuk po punon drejt afrimit të Shqipërisë me BE. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 dhe raporteve të OSBE / ODHIR, si dhe vëzhguesve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, ne konsiderojmë që Parlamenti dhe qeveria shqiptare të jenë plotësisht legjitime”, vijon reagimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë