Lajme

Kriza politike nuk i ul shifrat e turizmit, por shoqatat i tremben së ardhmes

INSTAT në raportimin që i ka bërë të dhënave për lëvizjen e shtetasve në Shqipëri, tregon për rritje të numrit të atyre që kanë hyrë në vendin tonë në pesë muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë, në pesëmujorin e parë 2019 është 1.506.618, duke u rritur me 5,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në Maj 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 25,9 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Kosova me 18,7 %.

Edhe si pesëmujor, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 28,4 % ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Kosova me 9,1 %.

Ajo që vihet re nga të dhënat e bëra publike nga INSTAT të huajt që kanë preferuar Shqipërinë për vizita dhe turizëm në pesë muajt e parë të vitit janë rritur me 5,6 %, po ashtu edhe ata që kanë ardhur për qëllime biznesi dhe pune janë rritur me 17%.
Po ashtu edhe numri i të huajve që kanë ardhur për trajtim shëndetësor dhe qëllime fetare është rritur. Rezulton në rënie vetëm zëri 'udhëtarë tranzit'.

Por përballë këtyre shifrave shoqatat e turizmit shprehen pesimiste. Ato i tremben së ardhmes duke u shprehur se kriza e thellë dhe e tejzgjatur politike po ndikon në ndryshimin e imazhit përtej kufijëve.

“Ajo që vlen të theksohet është që dëmi nuk do të jepet vetëm tek anulimet e momentit, por tek rreziku i mospërfshirjes së Shqipërisë si destinacion për vitin tjetër nëse situata vazhdon kështu siç është”- shprehet Kliton Gërxhani nga ATOA (Albanian Tour Operators Association).

Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se Kosova nuk na ka preferuar këtë fillimviti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë