Politike

Kriza politike, Moisiu kundër opozitës: Jo dialog me kushte

Kushtet e vendosura nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, si një mundësi për t’u ulur në dialog me mazhorancën për zgjidhjen e krizës politike, Alfred Moisiu i shikon si të tepërta. Sipas tij pazaret janë një zgjidhje e përkohshme dhe se kërkesat e palëve jo gjithnjë plotësohen të gjitha.

“Nuk mund të hysh në dialog me kushte, në dialog duhet të hysh të bisedosh, duke pasur parësore të ardhmen e vendit. Pazaret asnjëherë nuk janë ato që duhet të jenë, japin zgjidhje të përkohshme. Unë mendoj se politika shqiptare duhet të mbledhë mendjen, se ka një përgjegjësi të madhe para popullit. Po mbushen 30 vjet që ne lundrojmë me mendje në demokraci, por për fat të keq, demokracinë nuk po e arrijmë siç duhet, jo se është e paaritshme, por për vetë kushtet që politika krijon”, – tha ai në “Ora News”.

Moisiu i bëri thirrje klasës politike shqiptare që problemet e saj t’i zgjidhë vetë: “Gjithmonë bëjmë sherre dhe sytë i mbajmë nga qielli, cili do vijë me avion, kjo nuk është normale. Politika në gjithë botën ka probleme, por siç i krijojnë ashtu i zgjidhin. Për fat të keq ne bëjmë atë që nuk duhet bërë. Kështu si ka ardhur koha jo se nuk zgjidhen, ju përmendët 2007. Është e vërtetë që ne qëndruam 48 orë, por u morën vesh me njëri-tjetrin, u gjet cfarë kërkonte njëra palë, jo të gjitha u plotësuan, por u gjet një zgjidhje”.

Ish-presidenti mbështet procesin e reformës në drejtësi dhe thotë se qëllimi i saj është që të vendosë para ligjit të gjithë ata politikanë që kanë abuzuar dhe vjedhur: ”Gjatë këtyre viteve janë bërë shumë zullume, abuzime dhe mashtrime. Dhe ne po të njëjtët politikanë i kemi akoma në krye të punëve. Do vijë një kohë që do kërkohet përgjegjësi dhe llogari. Reforma në drejtësi këtë qëllim ka. Duke stabilizuar drejtësinë ajo do stabilizojë dhe politikën. Deri tani nuk kemi asnjë politikan prapa hekurave që e meriton”.

Ai nënvizoi se ka ardhur koha që të japin llogari politikanët e korruptuar dhe jo të dënohet një polic, një infermier apo një mjek.

“Por luanët janë në strofkullën e tyre dhe japin komanda… Ka ardhur koha që të japin llogari, nuk kanë ku shkojnë, lodhen kot. Kjo duhet të jetë mësim edhe për të rinjtë”.

 

Më Shumë