Politike

Kriza në arsim, Basha nga Vlora: Edhe PD ka mëkatet e saj

Në një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali”, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se sistemi arsimor do të jetë në ditët më të zeza nëse vazhdohet me Ligjin e Arsimit të Lartë.

Duke ftuar vlonjatët t’i bashkohen tubimit dhe protestës me 16 shkurt në Tiranë, Basha u shpreh se kryeministrin Rama e gënjen mendja kur mendon se është “Pashai i Vlorës” dhe i gjithë Shqipërisë.

“Arsimi do të jetë në një ditë më të zezë nëse vazhdohet me këtë ligj të Arsimit të Lartë, që i vuri kazmën universiteteve publike. Demokratizimi i vendimmarrjes është normë evropiane, është garanci, siç është garanci për shtetin është garanci edhe për universitetin, - u shpreh Basha. - Siç kemi ardhur sot në këtë ditë këtu, se e gënjen mendja atë që është Pashai i Vlorës dhe i të gjithë Shqipërisë, se ai i di të gjitha, prandaj ai meriton të ketë edhe pushtetin ekzekutiv, edhe parlamentin, edhe gjyqësorin, edhe median, edhe ekonominë”.

Kryedemokrati nuk la pa përmendur faktin se edhe opozita ka pjesën e saj të fajit për këtë situatë, duke përmendur emërimet e padrejta në poste të rëndësishme publike gjatë kohës kur në qeverisjen e vendit ishte PD.

“Në këtë krizë kemi edhe ne mëkatet tona, sepse në disa raste kemi bërë emërime që nuk kanë pasur lidhje me detyrën që merrnin, apo raste kur janë marrë 3-5 mijë euro për emërime mësues. Këto sdo përsëriten kurrë. Por kurrë s’na e ka marrë mendja se pas 28 vitesh do të vinim në një stad ku për t’u emëruar në arsim duhet të merren injorantë e njerëz me precedentë penalë veç se janë anëtarë të një sekti kriminal si “Rilindja”. Kjo tani është kthyer në rregull, çka ka shkatërruar cilësinë e mësimdhënies dhe besimin e prindërve tek arsimi publik. Së pari, rikthimi tek arsimi cilësor kërkon demilitantizimin dhe demaskarizimin e sistemit arsimor. Esenciale është që ky model i degjeneruar të marrë fund një orë e më parë. Esenciale është që kur themi se arsimi është prioritet, ta trajtojmë si prioritet”

Basha shtoi se dalja nga kjo krizë arsimore ku ndodhen universitetet, është demokratizimi i sistemit.

“Edhe po t’i kishte fakultetet intelektuale, nuk do të arrinte kurrë t’i bënte, lëre më kur kemi të bëjmë me një njeri të mangët, në shkollim, në formim dhe në performancë. Përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë është fundi i mirëmenazhimit të një sistemi. Prandaj, demokratizimi i sistemit arsimor do të jetë prioritare për ne. Çështjet kryesore të vendimmarrjes do t’u takojnë vetë universiteteve dhe aty ku duhet, do të jenë të përfaqësuar sa duhet edhe studentë”, tha mes tjerash Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë