Editorial

Kriza e ujit të pijshëm si ajo energjitike

Kriza e furnizimit me ujë të pijshëm është njësoj, me të njëjtat përmasa, simptoma dhe pasoja njësoj si krizat energjitike që kemi pasur dhe kemi.

Por këtë qeveritë edhe pse e kanë ditur dhe e dinë, e kanë lënë pasdore pasi për një arsye të vetme nëse qytetarët nuk mund të ndërtonin dot secili më vete turbinë për prodhim energjie, ujin e kanë zgjidhur me një depozitë, investim në fakt që sot kushton miliona euro aq sa zënë një pjesë të mirë të PPB-së. 

Megjithëse një depozitë uji nuk krahasohet më një basen ujëmbledhës siç është Drini, duket qesharake por në fakt përcjell groteskun e një krize të frikshme bashkëshoqëruese prej dekadash tek uji ashtu siç edhe tek energjia.

Kanë të njëjta simptoma

Kriza energjitike së pari vuante nga mungesa  e burimeve të reja të energjisë, apo oferta e prodhimit kundrejt kosumit të rritur. Edhe sektori hidrik vuan për të njëjtat pasoja. Në Shqipëri  vetëm 30-40 përqind e ujit përdoret dhe mjaft qendra banimi kanë ujësjellësa të dëmtuar, të panevojshëm apo me kapacitete të ulta.

Një nga shkaqet e krizës energjitike kanë qenë dhe mbeten humbjet në rrjetin elektrik. Të njëjtën arsye kemi edhe tek uji i pijshëm. Sot kemi ujësjellësa ku deri 70 përqind e ujit vidhet ose shpërdorohet.

Në energji kemi patur mos arkëtime, dmth konsum por jo pagesa për konsumin, njësoj dhe tek uji. Sot ka ndërmarrje që kanë arkëtuar vetëm 30 përqind të ujit të pijshëm të konsumuar.

Ashtu si për shumë vjet por edhe sot sistemi energjitik ka nevojë për rrjet energjitik , edhe furnizimi me ujë ka mungesa të theksuara në investime të rrjetit hidrik që është i amortizuar apo nuk plotëson nevojat e konsumit. Investime të pakta dhe shumë abuzime. Ka zona që nuk kanë fare rrjet. Qytete që punojnë me dy apo tre linja për çdo banesë, kap çfarë të kapësh.

Me pak fjalë energjia dhe uji ngjajnë si dy pika uji në krizën që kanë qenë dhe ndodhen. Janë të dyja produket dhe sisteme strategjtike por nëse me energjine ka të paktën ndjeshmëri të lartë të agjencive qeveritare, e kundërta me ujin. Sistemi i furnizimit të ujit të pijshëm vuan nga mungesa e burimeve, investimet në ujësjellësja, rrjeti i amortizuar, humbjet në rrjet , mosarkëtimet dhe borxhet financiare të akomuluara dhe punonjës të korruptuar , që figurojnë vetëm në bordero e nuk kanë lidhje e as me profilin e punës.

Zgjidhja as hiç por vetëm për kohë të shkurtër është goditja e ligjit pa mëshirë ndaj atyre që nuk paguajnë dhe ata që administrojnë keq paratë dhe pasurinë publike.

Por kjo mund të zgjas vetëm përkohësisht se dhe efektin e ka të përkohshëm. Problemi dhe zgjidhja qëndron tek qeveritë. Ajo e para duhet të tregojë se çfarë kursi të ri do të marrë historia. Do të dëgjojmë akoma histori helmimesh si ajo e fundit në Krujë. Ende do të kemi imazhe të banorëve në zonat urbane me pagurë që në mes të qyteteve furnizohen me ujë nga furgonat ilegalë por që lëvizin lirisht edhe në mes të kryeqytetit..

Sistemi ka nevojë për një reformë të plotë, thikë kirurgjikale deri në palcë për të zgjidhur një nga problemet dhe turpet më të mëdha të shqiptarëve që mbyten nga uji por mbeten "të palarë". Një vend që kërkon të presë më shumë se 5 milionë turtistë të huaj në sezon nuk mund të ofrojë si cilësi shërbimesh publike kartolina të bukura nga tarracat e pallateve.

Qeveritë duhet ta kuptojnë që zgjidhja vjen nga ato dhe jo drejtorucët aparçikë dhe partiakë të ujësjellësave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë