Futboll

Kriza e Mançester Junajtid, Alegri parakalon Poketinon

Mançester Junajtid është në krizë të thellë, me një fitore në tri ndeshje dhe pozicionohet pranë zonës së rënies, ndërkohë që u nis me ambicie të tjera. Solskjaer, gjithmonë i rrezikuar që nga koha kur zëvendësoi Mourinjon në stolin e “Djajve të kuq”, është në dyshim dhe sipas “Daily Express”, dy janë kandidatët për pasardhësin e tij: Mauricio Poketino dhe Masimiliano Alegri.

Shkarkimi i trajnerit norvegjez këtë herë është shumë pranë, pasi ai nuk i ka bindur kurrë plotësisht tifozët. Vendi i tretë në kampionat vetëm sa i dha pak më shumë kohë atij, sepse humbja e thellë me Totenhemin e vuri sërish në rrezik serioz. Kalendari e penalizon, teksa Mançester Junajtid do të ndeshet me Çelsin, Arsenalin dhe Evertonin në kampionat, pa përmendur ndeshjet në grup në Ligën e Kampionëve.

Poketino dhe Solskjaer. Gazeta Si, 16 tetor 2020

Mungesa e rezultateve e “shkarkon” Solskjaerin. Klubi, që këto vite ka shpenzuar shumë, duke blerë Maguajër, Uan Bisaka dhe Bruno Fernandes, nuk mund të tolerojë më. Sipas tabloidëve britanikë, drejtuesit po kërkojnë një trajner me përvojë dhe fitues. Për këtë arsye, Alegri ka parakaluar Poketinon për momentin.

Trajneri argjentinas e njeh shumë mirë Premier Ligën, por nuk e ka fituar asnjëherë. Edhe në Europë, përveç finales së humbur me Liverpulin, Totenhemi nuk ka impresionuar. CV-ja e Poketinos në fakt nuk mund të krahasohet me atë të Alegrit, i cili ka fituar 6 tituj në Itali dhe i ka shkuar shumë afër Championsit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë