Ne rrjet

Kriza e energjisë ka prekur Indinë, si pasojë e… keqmenaxhimit

India po përballet me një krizë të afërt të energjisë, pasi rezervat e qymyrit në termocentrale kanë rënë në nivele të paprecedenta dhe vendi po paralajmëron ndërprerje të energjisë.

Sipas të dhënave nga Autoriteti Qendror i Energjisë Elektrike i Indisë, gati 80% e uzinave të qymyrit të vendit janë në fazë kritike, ose "superkritike", që do të thotë se rezervat e tyre mund të përfundojnë në më pak se pesë ditë.

Gjatë fundjavës, ministri i parë i Delhit, Arvind Kejriëal, i shkroi kryeministrit, Narendra Modi, se kryeqyteti "mund të përballet me  ndërprerje energjie" nëse stacionet e energjisë nuk marrin më shumë qymyr.

Shtetet përfshirë Rajasthan, Jharkhand dhe Bihar kanë përjetuar së fundmi ndërprerje të energjisë që zgjasin deri në 14 orë në ditë.

Maharashtra mbylli 13 termocentrale dhe u bëri thirrje njerëzve që të përdorin me kursim energjinë elektrike, dhe në Punjab tre termocentrale ndaluan prodhimin. Ndërprerjet e planifikuara të energjisë në Punjab, që zgjasin deri në gjashtë orë në ditë, kanë nxitur protesta.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se kriza e energjisë nuk është për shkak të mungesës së prodhimit të qymyrit vendas, siç kanë raportuar disa.

Gjatë dy dekadave të fundit, prodhimi vendas i qymyrit në Indi ka qenë gjithnjë në rritje, megjithëse pati një rënie të vogël në prodhimin prej më pak se 1% nga 2019 në 2020 për shkak të pandemisë.

Prodhuesi shtetëror i qymyrit në Indi, Coal India Limited, është akuzuar se nuk ka arritur të grumbullojnë sasi të mjaftueshme për të përmbushur rritjen e parashikuar të kërkesës.

"Kriza aktuale nuk manifestohet me mungesë të kapacitetit të minierave të qymyrit, por në vend të kësaj ajo shkaktohet nga mosparashikimi, planifikimi dhe grumbullimi nga prodhuesit e energjisë dhe rregullatori i energjisë në vend," tha Sunil Dahiya, një analist në Qendrën për Hulumtimin mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër.

Vibhuti Garg, ekonomist në Institutin për Ekonominë e Energjisë dhe Analizat Financiare tha se, “përdorimi i energjisë së rinovueshme gjithashtu u ngadalësua dhe se, nëse qeveria indiane do të ishte fokusuar në rritjen e kapacitetit të burimeve të rinovueshme si ajo diellore, era dhe hidro, "rritja e kërkesës mund të ishte përmbushur  dhe kjo krizë mund të ishte shmangur”.

Duke kërkuar të shuajë frikën rreth mungesës së energjisë, ministri i energjisë për Indinë, RK Singh, tha se "paniku është krijuar në mënyrë të panevojshme në lidhje me mungesat e qymyrit".

Ministri i qymyrit Pralhad Joshi fajësoi shirat dhe çmimin e lartë të qymyrit ndërkombëtar për prishjen e furnizimit, por këmbënguli se "brenda tre - katër ditëve të tjera, gjërat do të jenë mirë".

India ka plane për të rritur prodhimin e saj të qymyrit në 1 miliardë tonë deri në vitin 2024.

"Situata po përdoret nga disa palë të interesuara për të nxitur më shumë hapjen e minierave të qymyrit duke argumentuar si arsye pikërisht mungesën e qymyrit, por kjo nuk është aspak e vërtetë," tha analisti Dahiya.

Nëse India do të përmbushë objektivat e saj klimatike në vitet e ardhshme, vendi gjithashtu do të duhet të heqë qymyrin, i cili aktualisht furnizon pothuajse 70% të energjisë elektrike të tij.

"Unë mendoj se qeveria po e përdor këtë si një mundësi për të nxitur për më shumë miniera qymyri ose prodhim të energjisë me bazë qymyri," tha Garg. "Por ne duhet të shmangim investimin e parave në asete të cilat do të bllokohen”.

“Prodhimi i qymyrit është i shtrenjtë dhe çmimet do të rriten më tej. Nga ana tjetër, prodhimi i energjisë së rinovueshme është i lirë dhe çmimet ka të ngjarë të ulen më tej. "

"Aktorë të ndryshëm duhet të fajësohen për situatën," tha ekonomisti Garg, i cili e përshkroi situatën si "të frikshme, por ka të ngjarë të përmirësohet së shpejti".

Përshtati në shqip/ Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë