Treg

Kriza e Covid-19 s’përjashton as tregun e sigurimeve, 26,45% më pak kontrata në 6 mujorin e parë

Shqiptarët vijojnë sigurimin e pronës nga tërmeti, shoqëritë e sigurimeve paguajnë 16 mln euro për dëmet nga ky zë

Tregu i Sigurimeve ka patur një performancë të dobët në gjashtë muajt e parë të vitit për shkak të pandemisë globale që nxiti marrjen e masave bllokuese të shumë aktiviteteve ekonomike.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare tregojnë për një ulje të të ardhurave nga primet e shkruara bruto me 6,66% dhe ulje të numrit të kontratave të lidhura në të njëjtën periudhë me 26,45 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por ajo që vihet re për të dytin tremujor radhazi, shqiptarët kanë marrë një mësim të madh nga ngjarja e tërmetit të 26 nëntorit 2019 duke u nxitur të sigurojnë pronat e tyre nga zjarri dhe dukuritë e tjera të natyrës duke rritur vlerën dhe numrin e këtyre kontratave. Dëmet e paguara për këtë zë janë mbi 50% të dëmeve totale të paguara.

Po ashtu edhe shoqëritë e sigurimit kanë shlyer dëmet për kontratat e sigurimit të pasurive të paluajtshme për tërmetin.

Të dhënat e AMF-së tregojnë se, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar–qershor 2020 kapën vlerën mbi 7,544 milionë lekë, ose 6.66% më pak se në periudhën janar–qershor 2019. Gjatë periudhës janar–qershor 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 434,968 me një ulje prej 26.45% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.49% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.49%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.62% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.38% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar–qershor 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,081 milionë lekë, ose 46.75% më shumë se në periudhën janar–qershor 2019.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar–qershor 2020 arritën rreth 4,555 milionë lekë, ose 6.73% më pak se në periudhën janar–qershor 2019.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor, pati një ulje prej 0.07% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 1.57% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-qershor pati një ulje prej 36.22% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 49.45% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-qershor, pati një ulje 36.15% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar–qershor 2019. Edhe numri i kontratave u ul me 48.22%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar–qershor 2020 arritën rreth 2,989 milionë lekë, 6.54% më pak se në periudhën janar–qershor 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 40.15% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar–qershor 2020, patën ulje me 2% kundrejt periudhës janar–qershor 2019.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar–qershor 2020 siguruan mbi 1,491 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 64.32%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 27.26% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar–qershor 2020, vihet re një rritje prej 32.28% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 0.77% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar–qershor 2019.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-qershor 2020, arritën në rreth 577 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 15.99% në krahasim me periudhën janar–qershor 2019.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar–qershor 2020, arritën rreth 490 milionë lekë, ose 19.76% më pak se në periudhën janar–qershor  2019.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesa e dëmeve gjatë periudhës janar–qershor 2020 u rrit me 46.75% krahasuar me periudhën janar–qershor 2019. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me rreth 2,059 milionë lekë ose 16 mln euro, apo 50.45 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë