Futboll

Kristiano Ronaldo vendimtar, goli i tij çon Al Nasr në finalen e Championsit arab

Gazeta Si – Mendon gjithmonë ai për të udhëhequr skuadrën dhe arrin finalen e radhës në karrierë. Kristiano Ronaldo ishte vendimtar në gjysmëfinalen e King Salman Cup, ose Championsi arab, ku shënoi me penallti golin e fitores në minutën e 75-të. Al Nasr mundi 1-0 Al Shorta, ekipin iraken që u përpoq të mbrohej fort.

Për Ronaldon është goli i 4-t në 5 ndeshjet e King Salman Cup, që e afron me trofeun e parë në Lindjen e Mesme. Të shtunën do të luhet në Ta’if finalja me fituesin e çiftit Al Shabab-Al Hilal, derbi i Riadit.

Al Nasr zbriti në fushë me të gjithë lojtarët e tij big, të vjetër dhe të rinj: Brozoviç, Mané, Fofana, Aleks Teles, Taliska dhe Ronaldo. Sulmoi nga fillimi deri në fund. Në minutën e fundit e shpëtoi portieri Najaf me një dalje që stopoi kundërshtarin e vetëm përballë tij.

Al Nasr krijoi dhe shpërdoroi shumë me Ronaldon, Mané dhe Fofanan. Ronaldo shënoi me të majtën pas një pasimi të bukur të Brozoviç, por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Teles goditi shtyllën më pas. Në minutën e 73-të arbitri akordoi një penallti për një faull ndaj Mané, pas konsultimit me VAR-in. Një penallti bujare, që e ndihmoi Ronaldon të gjente golin dhe të festonte me ‘Siuuuuu’-n e tij.

Stadiumi në delir, edhe pse luhej në Abha, jo në Riad. Është më mirë për shëndetin e futbollistëve, sepse ky qytet është 2200 metra mbi nivelin e detit dhe temperatura ishte 25 gradë, 20 më pak se në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë