Futboll

Kristiano Ronaldo shpërngul makinat nga Torino, lamtumira shumë pranë

E ardhmja e Kristiano Ronaldos te Juventusi është gjithmonë e më shumë një rebus. Nuk e thonë vetëm rezultatet në fushë të bardhezinjve, por edhe një detaj që nuk ka kaluar pa u vënë re në Torino.

Në një video të publikuar nga "Persemprecalcio.it", gjatë natës Kristiano Ronaldo ka shpërngulur shtatë makinat e tij luksoze me një kamion gjigant të “Rodo Cargo”, një kompani e njohur transportesh me seli në Lisbonë. Një veprim që ka shtuar dyshimet për qëndrimin e portugezit te Juventusi.

Shpërngulja e makinave mund të interpretohet si një prag lamtumire. Tre vite më parë ishte pikërisht mbërritja në Torino e makinave të portugezit që certifikoi transferimin e tij në Itali. Vetë sulmuesi nuk ka dhënë asnjë koment për këtë veprim, ashtu sikurse edhe klubi bardhezi, ndërsa tifozët kanë komentuar në rrjetet sociale se i frikësohen largimit të Ronaldos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë