Politike

Kriminaliteti në Vlorë, Arta Marku “konfirmon” Bashën

Opozita vijoi traditën e saj të mbledhjes së grupeve parlamentare nëpër rrethe, për të denoncuar atë që e quan qeverisje e Edi Ramës me krimin. Ndalesa e radhës ishte qytetit i Vlorës dhe risia kësaj radhe ishte Shpëtim Idrizi në krah të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.

Në fjalën e gjatë, Lulzim Basha përsëriti akuzat ndaj Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Taulant Ballës e Jyrgis Çyrbja. Këta janë shembulli që kreu i PD-së i mori për të ilustruar idenë e tij se kjo mazhorancë është e kapur nga krimi dhe se i gjithë sekreti i qëndrimit në pushtet të saj është lidhja me krimin.

“Prandaj nuk e duan vettingun në politikë, prandaj Edi Rama do ta refuzojë vettingun në politikë, sepse vettingu në politikë do t’u shkëpusë lidhjet me krimin”, u shpreh ai.

Vlora është tronditur muajt e fundit nga disa ngjarje kriminale dhe zhdukje personash në mënyrë misterioze. Lulzim Basha, pasi i renditi disa prej këtyre ngjarjeve, akuzoi Policinë e Shtetit se në rastin e zhdukjeve po manipulon shifrat.

“Janë 18 persona të zhdukur pa lënë gjurmë në qytetin e Vlorës, sipas të dhënave që mban të fshehura policia e Fatmir Xhafajt”, deklaroi ai.

Arsyen e këtij kriminaliteti të lartë në qytetin bregdetar Basha e lidh drejtpërdrejtë me dy ministra të Brendshëm dhe me Kryeministrin.

“Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj. I pari e bëntë trafikun e drogës me kushërinjtë e tij, i dyti e bën me vëllain. Këta e kanë kthyer Vlorën në çifligun e tyre”, tha ai.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur gjate nje konference shtypi. Foto LSA

Në Tiranë, Edi Rama e ndjeu mungesën e Lulzim Bashës në sallën e seancave plenare, por jo akuzat e drejtuara nga kreu i opozitës. Nga foltorja e Kuvendit ai iu përgjigj deklaratave të kreut demokrat për kriminalitetin në Qarkun e Vlorës, aty ku Kryeministri është zgjedhur deputet.

“Kanë shkuar në Vlorë për të dëshmuar se si po digjet Vlora. Koha shumë shpejt do të na japë provën nëse Vlora po digjet, apo nëse Vlora po ecën në rrugën e Rilindjes së saj të pakthyeshme. Mjafton të kemi durimin e të presim edhe muajt që na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë, që për këdo që ka ngenë, të ndjekë shifrat dhe ta bazojë gjykimin në fakte, mjafton të shohë se si ishte situata e kriminalitetit në Vlorë vetëm 5 vite më parë me shifra dhe si është sot. Nata me ditën!”, thotë ai.

Rama është i vetëdijshëm se edhe “dita” në Vlorë nuk është e kthjellët.

“Nuk është një ditë me diell. Ka ende shumë për të bërë, por është ditë nuk është më natë”, vijoi ai.

Vete Lulzim Basha nuk ka më besim tek drejtësia, që thotë se është kapur nga Edi Rama, e për pasojë edhe nga krimi. Si shembull për të përforcuar akuzën e tij solli procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit, ku foli për një short farsë të kryeprokurores për Krimet e Rënda, Donika Prela.

“E gjithë trupa e prokurorëve ka refuzuar duke u larguar nga mbledhja, farsën e organizuar nga nga kamikazja dhe ushtarja e edi ramës dhe fatmir xhafës, në prokurorinë e krimeve të rënda, Donika Prela. Sot gjyqi ndaj Shullazit është pa prokuror. Kjo është vepra e Edi Ramës me reformën në drejtësi. Nga një instrument i drejtësisë, është shndërruar në një instrument të drejtësisë të politikanëve të lidhur me krimin”, vijoi ai.

Basha thotë se vendi ndodhet në një emergjencë kombëtare, se shteti ka rënë dhe bashkë me të edhe prokuroria. Pikërisht, për punën e Prokurorisë, në kohën që kreu i PD-së lëshonte këto akuza, kryeprokurorja e Përgjithshme, që mbetet ende e përkohshme raportonte në Kuvend. Arta Marku përmblodhi shkurtimisht punën e organit të akuzës për vitin 2017, megjithëse ajo vetë këtë detyrë e mori 2 javët e fundit të këtij viti.

Në fjalën e saj, kryeprokurorja “konfirmoi” përmes statistikave të organit që drejton deklaratën e Lulzim Bashës për kriminalitetin në Vlorë.

“Qarku me kriminalitet më të ulët është Dibra, ndërsa ai me kriminalitet me të lartë regjistrohet në Vlorë”, tha ajo.

Marku theksoi se në punën e prokurorive të të gjitha shkallëve nuk ka një rritje të konsiderueshme në cilësinë e hetimeve, ndërsa lufta kundër korrupsionit thotë se mbetet prioritet.

Veç raportimit të Arta Markut, në rendin e ditës ishte edhe projektligji i amenduar nga mazhoranca për Teatrin Kombëtar. Opozita e quan jo vetëm shkelje të rëndë të Kushtetutës kalimin e këtij projektligji, por thotë se shqyrtimi këtë të enjte bie ndesh me rregulloren e Kuvendit.

Në distancë, mazhoranca rrëzoi këto pretendime të Lulzim Bashës, ndërsa ky i fundit paralajmëroi deputetët socialistë.

“Do t’i them sot çdo deputeti të rilindjes që do të jetë në atë sallë se votimi i një ligji që do t’i hapë rrugë shkatërrimit të teatrit është i papranueshëm për Partinë Demokratike; është akt grushti shteti dhe vendos çdo deputet të rilindjes në pozita të barabarta me terroristët, terroristët të cilët, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese tjetërsojnë pronën publike, shkatërrojnë memorien historike, gllabërojnë dhe shkatërrojnë vlerat kulturore për të mbushur xhepat e Edi Ramës dhe kriminelëve që bashkëqeverisin vendin me të”, deklaroi ai.

Xhafaj: Prokuroria të më hetojë. Vettingu “politik”, qesharak

Emri i Fatmir Xhafajt vijon të mbetet prej muajsh në qendër të akuzave të Partisë Demokratike. “Gama” e akuzave shtrihet nga mbrojtja e vëllait të dënuar për trafik droge, e deri tek falsifikimi i Kodit të Procedurës Penale dhe favorizim të të vëllait në fushën e lojërave të fatit.

Akuzat e përsëritura nga Lulzim Basha edhe këtë të enjte në kuvendin opozitar të Vlorës, iu përgjigj nga Kuvendi i Shqipërisë vetë ministri i Brendshëm. Një prej thirrjeve të tij ishte drejtuar Arta Markut, e cila sapo kishte prezantuar raportin vjetor për 2017 të punës së prokurorisë.

“Për përfshirjen e familjarëve të mi në biznesin e lojërave të fatit, dua të them që ky është një mashtrim. Prokuroria të angazhohet për hetimin e të gjitha deklaratave të Partisë Demokratike. Partia Demokratike nxjerr kokën dhe hedh baltë. Këta persona shpifin se familjarët e mi janë të lidhur me lojërat e fatit, deklaroj me përgjegjësi ligjore dhe politike. Kjo është paaftësi për një opozitë për të luajtur rolin e një opozite dinamike”, u shpreh ai.

Xhafaj komentoi edhe nismën e opozitës për vettingun në politikë dhe qëndrimi i tij ishte në të njëjtën linjë me atë që po unifikohet gjithnjë e më shumë brenda mazhorancës.

“Vettingu në politikë është ide qesharake e Partisë Demokratike. Drejtësia dhe pastrimi i politikës të bëhet nga themelimi i institucioneve ligjore. Nuk ka vend në botë që politika të pastrojë politikën”, shtoi ai.

Ministri i Brendshëm këmbëngul se sipas sondazheve, Policia e Shtetit vijon të mbetet institucioni më i besueshëm për shqiptarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë