Dosje

Krimi jashtë kontrollit/ Ekzekutimet për larje hesapesh dhe drogë, vrasjet në familje dhe deri për motive banale

Viktima e radhës, Ylber Xhahysa 45 vjeç, baba i dy fëmijëve, ishte ulur për të pirë kafen e mëngjesit në lokalin e fshatit. Pak metra më tej në të njëjtin bar të fshatit Gjocaj, gjendej edhe bashkëfshatari i tij, Leonard Bashaliu, mosha 36 vjeç, i cili sipas policisë së Peqinit jetonte në një fshat tjetër në Pajovë.

Vrasësi dhe viktima besohet sipas policisë së Peqinit se ruanin një mëri të vjetër, të pesë viteve më parë. Kemi të dhëna, deklaroi një burim policor GazetaSi.al, se Xhahysa dhe Bashaliu janë konfliktuar pesë vite më parë për një gërvishtje makine dhe që prej atëherë pas konfliktit fizik ata mbanin mëri dhe nuk flisnin me njëri tjetrin.

Deri mëngjesin e ditës së krimit, kur autori, pa thënë asnjë fjalë, pasi e ka lënë të mbarojë kafenë, është çuar nga lokali ka shkuar të armatoset dhe është rikthyer.

Ylber Xhahysa, 45 vjeç, i vrarë me pistoletë mëngjesin e të martës për një konflikt të vjetër në Peqin

Sipas policisë që komenton për GazetaSi.al, vrasësi e qëlloi dy herë për vdekje objektivin, e la të dëmtuar rëndë dhe u largua nga vendngjarja derisa u lokalizua dhe iu hodhën prangat.

Policia thotë se viktima ishte pronar i një tv kabllor në zonën rurale dhe se nga marrja në pyetje paraprake e autorit, ai deklaroi se e gjitha erdhi si pasojë e mos menaxhimit të nervave.

Gjaknxehtësi, apo janë konflikte që shtresëzohen?

Gramoz Mema, 48 vjeç, i ekzekutuar para dy ditësh në Ksamil. Ai menaxhonte një lokal të marrë me qira në këtë qytet

Dhe teksa prej një muaji krimet nuk kanë të ndalur në të gjithë vendin, duke u kthyer madje edhe si temë memesh, ku qytetarët bëjnë batuta se po vendosin skedina, se ku do jetë krimi i radhës, policia po dështon për të zbardhur krimet e organizuara.

Asnjë prej tyre i ndodhur në formë të mirë organizuar nuk ka një autor, ndërkohë që situate mbetet shqetësuese në qytetin e Vlorës, Elbasanit dhe Shkodrës, tre nga zonat ku eliminimet mes grupeve po kryhen haptazi madje edhe ditën.

Por ndonëse në qasjet publike, policia këmbëngul se inatet e çastit po vrasin shqiptarët, ose edhe mëritë e vjetra banale, një krim si ai i Ksamilit hedh pikëpyetje nëse e menaxhon apo jo policia informacionin bazë mbi konfliktet reale.

Vrasja e Gramoz Memës, nga dy persona që qetësisht e eliminuan me armë zjarri teksa po kthehej në shtëpi, ka ngritur pistën se llogaritë e hashashit edhe në zonën e Sarandës mbeten të hapura.

Viktima, një ish-emigrant në Angli dhe që ishte tërhequr në jetën e tij, duke u konvertuar në një biznes lokalesh në Ksamil dhe duke jetuar mes Tepelenës dhe Tiranës, dyshohet se  mund të ketë pasur konflikte me një grup “të hidhur” në Sarandë, i cili është i pagëzuar me emrin e fshatit ku jeton në këtë zonë.

“Patjetër edhe në Sarandë ka grupe që përplasen për çështje të hashashit, aq më tepër që në këtë zonë njihen tentativat për të transportuar drogë përmes kufirit të gjelbër”, - tha një inspektor zone në këtë qytet.

Megjithatë Ksamili dhe Saranda nuk përfshihen mes qyteteve të pasigurta dhe ku mund të ndodhë krim nga çasti në çast.

Llogaritë vrasin në Vlorë dhe Elbasan

Shkëlzen Velaj, 42 vjeç, i vrarë me kallashnikov në derë të shtëpisë në Vlorë

Shkëlzen Velaj, 42 vjeç ishte djali i fundit i familjes Velaj, që gjashtë vite më parë humbi një tjetër djalë, në atë që policia dhe media lokale e pagëzoi si masakra e Çoles. Shkëlzen Velaj humbi jetën në vrap e sipër, teksa u përpoq të hynte në shtëpi dhe teksa ngjiti i alarmuar shkallët e pallatit me të njëjtën shpejtësi si vrasësit. Por ata e arritën dhe e qëlluan për vdekje.

“Velaj nuk ishte person problematik, ai lëvizte lirshëm në qytet dhe madje nga informacionet e mbledhura deri tani, rezulton që ai nuk pinte më as alkool dhe merrej me vrap”, - tregoi një agjent i zonës.

Sipas tij, në rrugë anonime, thënë për GazetaSi.al, viktima mund të jetë vrarë për shkak se vrasësit po eliminojnë të afërm të viktimave të masakrës së Çoles, si masë paraprake për një hakmarrje të mundshme.

“Kemi parë e riparë skedën e 42-vjecarit dhe ai nuk ka probleme të tilla që do t’i merrnin jetën, vetëm nëse ai është shprehur se do të merrte hak për vrasjen e të vëllait Ardi Feridiand Velaj, që u vra në një lokal së bashku me Haki Rakipin, i njohur ndryshe si Akil Hasanaj dhe Albi Limajn.

Shkëmbimi i armëve të zjarrit në prill 2015, ishte një “far west”, pasi nga pala tjetër, u vra Albi Limaj, i cili hyri në lokal së bashku me Aleksandër Llanajn dhe qëlluan me armë zjarri në drejtim të Velajt dhe Rakipit, të cilët gjendeshin në lokal.

Për këtë ngjarje, më pas pati një konflikt deri në Gjykatën Kushtetuese, pasi prokurori i asaj kohe u tregua i butë në pretencë, por në përfundim, Llanaj, së bashku me Bertil Alliajn dhe Ani Begajn morën dënime të rënda.

Por më i rëndësishëm ndër ta u konsiderua Aleksandër Llanaj, që është i afërm i Ferdinand Llanajt, i njohur ndryshe me nofkën “Robi” . Ai ka qenë edhe vetë shënjestër atentatesh, por që kryesisht policia i ka mbyllur si përplasje për hakmarrje me një fis tjetër, ndonëse ka dyshime se ai përfaqëson edhe një grup që merret me çështje të trafikut të hashashit.

Megjithatë përveç Elbasanit, Vlora kryeson atentatet e dhunshme, të tilla si ajo e vrasjes së Delon Troqes, lidhje familjare e një tjetër të zhdukuri dhe që sapo ishte kthyer nga Spanja.

Bledar Birçaj, 40 vjeç, i ekzekutuar në 10 maj në mes të rrugës në Vlorë, në një atentat të mirë organizuar

Ndonëse grupi i hetimit ka dyshime se mund të ketë lidhje me llogaritë e Spanjës dhe ngarkesave të drogës, ajo që mbetet për t’u verifikuar është edhe ekzekutimi i një tjetër vlonjati.

Bledar Birçe ka dyshime se u vra po ashtu për drogë, ashtu si edhe vrasja e Taulant Beqirajt, për të cilin ndonëse para autoriteteve u tha se ishte një krim i çastit në rrugën ‘Transballkanike’, jo zyrtarisht thuhet se në Spanjë është vjedhur një grup tjetër, ku i është rrëmbyer një sasi prej 5 deri në 7 kilogramë kokainë dhe ndaj ai u eliminua.

Të gjitha vrasjet e pazbardhura në Vlorë, dyshohet se janë për përplasje droge, e megjithatë autoritetet në këtë qytet vijojnë të mos ndryshojnë strategji hetimore

Ku është familja?

Qemal Bici, 56 vjeç, qëlloi për vdekje me sëpatë bashkëshorten e tij, Lumturie Bici, rreth 53 vjeçe në banesën e tyre në Dragostunjë të Librazhdit. Më pas ai u gjet i vetëvarur

Por njëkohësisht me atë të organizuar, krimi në familje po shënon rekorde shqetësuese. Rezulton se 13 persona janë vrarë deri më tani nga anëtarë të familjes, por së pari viktimat janë gra dhe partnere që janë ekzekutuar me makrabitet.

Rasti më i tmerrshëm ishte ai i Dragostunjës, ku gruaja u masakrua me sëpatë pas vitesh të tëra dhune në familje. Autori u vetëvra, ashtu si edhe një bashkëshort tjetër në Kryemëdhenj, që pasi e dogji bashkëshorten, u vetëvar pak metra më tej.

Dhurata Saliaj, 33-vjeçarja që u arrestua së bashku me të atin, këmbënguli para gjykatës se është e pafajshme dhe se nuk kishte dijeni për planin e babait.

E megjithatë  ajo ka rrëfyer pas arrestimit në polici, se si martesa e saj 17-vjeçare përfundoi tragjikisht, pasi bashkëshorti Kudret Saliaj pretendonte se ajo e tradhtonte. Në fakt konfliktet kulmuan një ditë para vrasjes.

Mexhit Picari dhe vajza e tij Dhurata Saliaj, të akuzuar për vrasjen e Kudrejt Saliajt në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës. Çifti Saliaj, pas konflikteve disa vjeçare në familje, ishte në proces divorci

“Nuk i njoh shumë rrugët e Tiranës, - tha gruaja  në polici, - kam kërkuar një taksi të më çojë te Gjykata Civile dhe më pas jam takuar me babain tek lokali përballë. Pasi kemi ndenjur rreth 30 minuta, babai më ka thënë – hajde çohemi dhe ulemi te një lokal më i mirë - Babai ka ecur para meje dhe unë pas tij, më pas është ulur ai i pari. Pas rreth 2 minutash, ka ardhur kamerieri dhe e vetmja këshillë që më dha babai ishte - rri e qetë. Kamerieri ka sjellë porosinë dhe kam pirë ujë, vetëm kur babai u çua nga tavolina, nuk më tha asgjë dhe as unë nuk e pyeta ku po shkonte. Mendova që po shkonte në tualet, - tregon gruaja në dosjen që GazetaSi.al, disponon, - por më pas dëgjova krisma, kam parë babain që i drejtoi armën një personi në dukje si bashkëshorti im. Pas kësaj, e kam ndjekur babain nga pas, nuk mendoja kurrë që im at do ta bënte diçka të tillë”, - ka treguar gruaja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë