Kosova

Behgjet Pacolli dënon vrasjen e Liridona Murselit: Krim makabër, autori të marrë dënimin maksimal

Gazeta Si - Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka dënuar vrasjen e Liridona Murselit, bashkëshortja e ish-këshilltarit të tij, Naim Murseli, i arrestuar këtë të premte si i dyshuar për përfshirje në këtë krim.

Në një reagim në rrjetet sociale, Pacolli thotë se ndidhet i tmerruar dhe i tronditur nga ngjarja e rëndë, duke e cilësuar atë si një akt makabër.

Po ashtu, ai përgëzoi policinë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë pas këtij akti, Pacolli thotë se, duhet të dalë para drejtësisë dhe të marrë dënimin maksimal.

“Sot, fëmijët dhe familja kanë varrosur Liridonën, një vajzë dhe nënë të re e cila u vra mizorisht. Jam ende i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilën e kam njohur personalisht. Sot dhe çdo ditë, lutjet dhe mendimet e mia janë me fëmijët dhe familjen e Liridonës. I përgëzoj policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër (akt i pa parë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë. Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj. E pabesueshme dhe e trishtueshme. Jam ende i shokuar”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Në lidhje me këtë ngjarje, është arrestuar sot nga policia si i dyshuar bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai ka qenë këshilltar i Behgjet Pacollit kur ky i fundit ishte President i Kosovës.

Në pranga është vënë edhe një bashkëfshatar i Murselit. Ende nuk dihet motivi se pse ai inskenoi këtë ngjarje dhe raportoi se vrasja erdhi si pasojë e një grabitjeje të armatosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë