Lajme

Krim në familje në Memaliaj, djali vret babain me sëpatë, policia e arreston

Policia ka vënë në pranga 35-vjeçarin që qëlloi për vdekje me sëpatë babain e tij. Krimi i rëndë në familje tronditi paraditen e sotme një fshat në Memaliaj, ku djali vrau babanë me sëpatë.
Siç njoftoi policia, ngjarja ndodhi në orën 11:00 në fshatin Shalës pas një sherri verbal mes 35-vjeçarit Arjan Shahaj dhe babait të tij, Iljaz Shahaj.
Më pas, i riu ka marrë sëpatën dhe ka goditur 77-vjeçarin, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas vrasjes së të atit, Arjan Shahaj është larguar nga vendi i ngjarjes. Nuk dihen ende shkaqet e sherrit mes tyre. Mësohet se 35-vjeçari Arjan Shahaj ka qenë i dënuar me 12 vjet burg për tentativë vrasjeje të bashkëfshatarit të vet.
Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1998. I riu ka bërë disa vite burg dhe mësohet se ka dalë nga burgu mbi 10 vjet më parë.
Ndërsa në vitin 2003 ka tentuar të vrasë të ëmën, pasi dyshohet të jetë me probleme mendore.
Policia është njoftuar nga fqinjët dhe ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për t’u vënë më pas në ndjekje të autorit, i cili u largua në drejtim të paditur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë