Njerez

‘Krenare për origjinën time’ / Sindi Manushi, juristja 31 vjeçare nga Elbasani, shqiptarja e parë kryebashkiake në Itali

Sindi Manushi, juristja nga Elbasani është zgjedhur kryebashkiakja e parë me origjinë shqiptare për drejtimin e komunës së Pieve di Cadore në zonën e Bellunos, Itali.

Avokatja civile, 31 vjeç, mbërriti në Itali me familjen e saj 22 vjet më parë. Ajo ishte e vetmja kandidate dhe për këtë arsye mori 100% të votave duke sigurar kështu fitoren me 1365 vota. Pjesëmarrja në këtë komunë ishte 48.31%.

Juristja shqiptare, ka treguar në intervista për mediat e huaja se ajo është krenare për origjinën e saj shqiptare teksa tregon vështirësitë me të cilat është ndeshur në Itali dhe mënyrën si i ka kapërcyer ato me sukses.

Ajo ka thënë se përshtatja me zakonet e Pieve dhe gjuha italiane ishin vështirësitë e para me të cilat është përballur.

Sindi gjithashtu ka thënë se të bëhej kryetare bashkie nuk kishte qenë dikur në planet e saj.

“Nuk ishte në perspektivë. Unë kam qenë gjithmonë e apasionuar pas politikës, si një interes i pastër për çështjet publike. Por jo, nuk ishte në planet e mia. Më pas, para disa muajsh lindi kjo ide dhe më lindi “Pieve futuro”. Unë shoh në Pieve, një strukturë sociale të testuar nga pandemia. Kemi humbur disi sensin e komunitetit dhe kultivohen më shumë individualizmat”, ka thënë ajo.

Pyetjes nëse do të heqë dorë nga profesioni, ajo i është përgjigjur me “jo”.

“Unë bëj të drejtën e korporatës, civile. Po, nuk do të heq dorë nga profesioni im. Me siguri do të ketë një periudhë përshtatjeje dhe do të më duhet të kuptoj në aspektin kohor se sa do të marrë për qytetarët e mi. Sigurisht që prioriteti im do të jetë tek ata”, ka thënë Sindi e cila ka shtuar se më parë edhe ka qenë pre e racizmit.

“Më thanë jam shqiptare, jam grua, jam shumë e re. Ka pasur disa episode të pakëndshme, por në përgjithësi dua të nënvizoj gjithçka që më ka dhënë Pieve di Cadore, që është shumë. ‘Pieve futuro’ ka lindur për të bashkuar, jo për të ndarë”, ka cituar ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë