Para

Kreditë e këqija/ Në 2022 bankat paguan 4 mld lekë provigjione dhe 5.5 mld lekë kredi ‘u fshinë’

Nga Gazeta ‘SI’ - Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022, bankat tregtare paguan 4.1 mld lekë provigjione për kredi në Bankën Qendrore.

Për të njëjtën periudhë, bankat raportojnë se janë fshirë 2.2 mld lekë ndërsa, ndërsa për të gjithë vitin, 5.5 mld, 80% e të cilave u përkisnin bizneseve vendase. Këto kredi përbënin 15.4% të totalit të kredive të këqija në vitin 2022, me rritje 5.4%.

Kredia e ristrukturuar gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ishte rreth 3.6 miliardë lekë ose sa 1.3% e fluksit vjetor të kredisë së re dhe sa 10% e stokut të kredive me probleme. Portofoli i prekur më shumë nga ristrukturimi i kredisë ishte ai i kredisë për bizneset dhe veçanërisht kreditë për degën e industrisë.

Kreditë me probleme vitin e shkuar prekën nivelin e saj më të ulët, rreth 5%. Por rritja e normës së interesit dhe inflacionit krijoi hapësirë për rritjen e stokut të saj (siç është raportuar në fillim të 2023-shit).

Norma e rikuperimit të kredive me probleme nga ana e bankave ra në 12%, nga 15% një vit më parë. Kjo ecuri tregon një rritje të vështirësisë së bankave për të rikuperuar kreditë me probleme.

Stoku i kredisë bankare është zgjeruar me 2% gjatë 6mujorit të dytë të vitit të shkuar dhe me 6.6% ndaj një viti më parë, duke u ngjitur në nivelin 715 miliardë lekë. Rritja më e madhe është regjistruar në kredinë për individët, kredinë në valutë dhe atë afatshkurtër.

Një rritje ka pasur edhe kredia e pambrojtur në valutë, sidomos në kredinë për banesa dhe arriti 130 mld lekë.  Për shkak të zhvlerësimit të euros, stoku i kësaj kredie ka pasur zhvillim të kontrolluar, por BSH sugjeron monitorim të kujdesshëm për rritjen e kësaj huaje nga individët që blejnë pasuri të paluajtshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë