Para

Kredimarrja në maj 2022: Bizneset morën për ndërtim, individët për banesa

Nga Gazeta "SI" - Ndërtimi dhe tregtia përbëjnë 52% të peshës së kredive të reja të marra përgjatë muajit maj 2022. Sipas shifrave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, huaja për sektorin e ndërtimit ishte 3.2 mld lekë dhe 3.8 mld lekë për sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë për periudhën Maj 2022.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, Maj 2021, kjo vlerë ishte 2.9 mld lekë për ndërtimin dhe 5.5 mld lekë për tregtinë me shumicë dhe pakicë.

Sipas BSH-së, huatë e dhëna për financimin e bizneseve të “Tregtisë me shumicë dhe pakicë”, zënë peshën më të lartë të kredive të reja në nivel korporatash jofinaciare të dhëna nga sektori bankar, me 28% përkundrejt totalit të përgjithshëm. Në vend të dytë, renditen huatë e reja dhënë për koorporata jofinanciare që i përkasin sektorit të “Ndërtimit” me 24% përkundrejt totalit. Këta dy sektorë përbëjnë 52% të parave të financuara nga bankat, të ndjekura nga sektori i shërbimit me 11%, “Industrisë përpunuese” dhe “Transportit dhe Magazinimit” me 10%.

Sipas të dhënave të Instat, ndërtimi orientoi rritjen ekonomike të vendit për tre muajt e parë 2022, me kontributin më të madh dhe me rritje vjetore 24.5%.

Por, deri në muajin, ndërtimi raportohet të ketë pasur rënie. Sipas shifrave të Ministrisë së Financave, për 5 mujorin e parë 2022, sektori ndërtues ra në niveling negativ të -1.6%.   

Rritje ka pësuar edhe kredia e dhënë për banesa. Nga totali i kredive për individë, 7.6 mld lekë, 4.3 mld rezultojnë për blerje banese përgjatë muajit Maj 2022.

Kjo vlerë ishte 3.8 mld lekë për 2021, 1.5 mld lekë për vitin 2020, 2.5 mld lekë për vitin 2019, 2 mld lekë për vitin 2018 dhe 2.2 mld lekë për vitin 2017.  Rritje që nuk kishte ndodhur në pesë vitet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë