Para

Kredia për shtëpi prek sërish rekord, në maj bankat dhanë 31 mln euro

Bankat tregtare disbursuan 3.8 miliardë lekë ose gati 31 milionë euro kredi për shtëpi në muajin maj, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Kjo e çon vlerën totale të kredisë për shtëpi të dhënë gjatë këtij viti në 14.3 miliardë lekë, duke u rritur me 76% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja  e çmimeve në vitet e fundit dhe pritshmëritë që kjo rritje  të vazhdojë po nxit investimin në pasuri të paluajtshme. Shtrenjtimi i pronave është në vetvete një faktor që ndikon në rritjen e volumeve të kredisë, sepse çmimet në rritje bëjnë që edhe pjesa e investimit që financohet me kredi të jetë më e lartë. Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet e pronave në Shqipëri u rritën mesatarisht me 11.3% vitin e kaluar.

Kjo rritje çmimesh është gjithashtu një faktor që ndikon në uljen e rrezikut të kredisë për bankat duke qenë se ato mbajnë si kolateral prona me vlerë më të lartë dhe me pritshmëri për të fituar akoma më shumë vlerë në kohë, nëse kjo tendencë për rritjen e çmimeve vazhdon.

Vendimmarrja e individëve për të blerë shtëpi me kredi gjithashtu po mbështetet edhe nga normat e ulëta të interesit dhe nga oferta e lartë e bankave për këtë produkt. Për bankat, kredia për shtëpi ka ndër raportet më të ulëta të kredive me probleme, afërsisht sa gjysma e raportit mesatar të kredive me probleme për portofolin total të huasë.

Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë bankare për blerje banesash arriti vlerën e 133.5 miliardë lekëve ose pothuajse 1.1 miliardë eurove. Në një vit, portofoli i kredisë për shtëpi është rritur me 11%, ritëm ky ndjeshëm më i lartë se rritja mesatare e kredisë për ekonominë gjatë të njëjtës periudhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë