Para

Kredia për blerje banesash ishte edhe më e lirë gjatë tremujorit të tretë

Individët kanë përfituar norma gjithnjë e më të ulëta interesi për financimin e blerjeve të pasurive të paluajtshme gjatë këtij viti.

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për kreditë hipotekare në lekë zbriti në 3.2% në tremujorin e tretë të vitit, nga 3.5% dhe 4.7% që ishte përkatësisht në tremujorin e dytë dhe atë të parë të tij.

Nga ana tjetër, edhe kredia konsumatore vijon të lëvrohet me norma të qëndrueshme interesi. Në tremujorin III 2021, interesat ishin mesatarisht 8.3%, duke qëndruar pranë niveleve të vërejtura në gjysmën e parë të vitit dhe në vitin e kaluar.

Vrojtimi i radhës i aktivitetit kreditues tregoi se në tremujorin e tretë të këtij viti, bankat lehtësuan standardet e kredisë për individët dhe kryesisht në ato për blerjen e banesave.

Politikat lehtësuese të kreditimit për individët u shoqëruan edhe me kushte e terma më të favorshme si në elementet çmim, ashtu edhe joçmim, me shtimin e madhësisë së kredisë, zgjatje e maturitetit të saj, si edhe kërkesa më të ulëta për kolateral.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin e parë të vitit 2021 sektori bankar në vend ka disbursuar 28.7 miliardë lekë ose rreth 235 milionë euro kredi të reja për shtëpi. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera e disbursimeve të reja është rritur me 60%. Vlera totale e portofolit në fund të shtatorit ka arritur në 140.7 miliardë lekë.

Ecuria e kredisë për blerjen e pronave pas pandemisë ka pasur një tendencë pozitive në të gjithë vendin, me ritmet më të larta të rritjes që kuptueshëm janë regjistruar në kryeqytet dhe në zonat me interes turistik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet e pronave në Shqipëri u rritën mesatarisht me 11.3% vitin e kaluar dhe me 6.7% në gjysmën e parë të këtij viti. Krahasuar me periudhën bazë të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, vitin 2013, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me 49.4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë