Politike

KQZ zbardh propozimin për votën e Diasporës: Votimi nga jashtë disa ditë para datës së zgjedhjeve brenda vendit. PS i qëndron votimit me postë (skema)

Nga Gazeta 'Si'- Ka përfunduar pas 3 orëve mbledhja e grupit të dialogut lidhur me votën e Diasporës.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vuri në dispozicion një platformë-ide për mënyrën e realizimit të votës së Diasporës, që nga regjistrimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë deri te mënyra e votimit të tyre, që KQZ sugjeron të bëhet përmes internetit.

Në përfundim të mbledhjes Celibashi u shpreh: “Kishte dy komponentë. Komponenti i parë ka lidhje me procedurat e regjistrimit të votuesve nga jashtë nëpërmjet një aplikacioni apo portali të posaçëm që administrohej nga KQZ dhe komponenti i dytë kishte të bënte me mënyrën e votimit”.

KQZ propozon që votimi të bëhet me elektronikë ose me postë.

"Periudha e votimit nga jashtë të zgjasë disa ditë para datës së zgjedhjeve brenda vendit. Votuesi nga jashtë do mund të votojnë në aplikacion disa herë, por numërohet vetëm vota e fundit", sqaroi më tej Celibashi.

PS i qëndron votimit të Diasporës me postë.

Damian Gjiknuri në përfundim të mbledhjes së grupit të dialogut tha se ky është variant më i mirë mundshëm.

"KQZ bëri një propozim teknik ku ka futur shumë elemente të votimit elektronik. Votimi elektronik në distancë ka shumë pikëpyetje nga pikëpamja e integritetit. Nëse do shkohet në votimin elektronik në gjithë Shqipërinë, kjo është një çështje tjetër, siç dhe eksperienca ndërkombëtare sugjeron, votimi elektronik do bëhet pjesor. Varianti më i ndjeshëm dhe potencial mbetet variant i votimit me postë.

PS është me parimin që çdo shqiptar që jeton jashtë vendit, i cili i nënshtrohet dy tre hapave normal verifikues, që kanë të bëjnë me identitetin dhe adresave të tij, dhe nëpërmjet një sistemi të besueshëm postar të mund të votojë”, shtoi Gjiknuri.

Bylykbashi: Objektivi i mazhorancës, të pengojë votën e emigrantëve

Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike tha se objektivi final i mazhorancës është që ta pengojë këtë proces.

“Ajo që pamë sot dhe që gjithsesi është shqetësuese janë përpjekjet e mazhorancës për ta bërë qesharake propozimet, çështjet, idetë, ose për t’i bërë të duken të pamundura. Objektivi final është si të pengohet në fund sërish vota e emigrantëve në vitin 2025”, tha ai.

Sa i përket dy alternativave të ofruara nga KQZ, zgjedhja me postë apo votimi elektronik, ai tha se nuk ka dakordësi. Secili opsion që do të vendoset sipas tij duhet që institucioni që do ta zbatojë atë të jetë i besueshëm.

Bylykbashi theksoi se palët kanë për detyrë sot për sot që të zgjidhin votën e emigrantëve.

“Ajo që kemi për detyrë për të zgjidhur sot është vota e personave që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ekziston një grup i vogël zgjedhësish që kanë pamundësi. Kjo nuk është detyra e diskutimit për sot. Sot kemi për detyrë të zgjidhim një sërë çështjesh që burojnë nga rekomandimet e OSBE-ODIHR. Shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë sot e kanë të drejtën e votës thjesht në letër dhe të pamundur për shkak të bllokimit të çdo procesi nga qeveria. Shpresojmë të gjejmë një zgjidhje dhe kjo të jetë e thjeshtë”, tha Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë