Politike

KQZ: Uniteti Kombëtar nuk çregjistrohet nga zgjedhjet

KQZ ka rrëzuar kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar për t’u çregjistruar nga zgjedhjet, me pretendimin se kjo kishte pasoja dhe për subjekte të tjera zgjedhore.
Ishte nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, ai që insistoi që partia e Idajet Beqirit nuk mund të hiqte dorë nga zgjedhjet, pasi tashmë ishte regjistruar në fletën e votimit dhe do të sillte kosto shumë të larta. Denar Biba zbuloi se procesi i printimit të fletëve të votimit ka përfunduar.
Idajet Beqiri gjatë fjalës së tij në KQZ, e konsideroi antikushtetues dekretin e presidentit Ilir Meta, madje tha se në një shtet tjetër do të kishin kërkuar analizë psikike të tij. Por ai tha se është i detyruar të ndjekë vullnetin e forumeve të larta të partisë Unitetit Kombëtar, që të çregjistrohen nga zgjedhjet e 30 qershorit.
“Dekreti na ka befasuar. Ishte një lloj shoku. E konsideroj antikushtetues, të ishte në një vend tjetër serioz presidenti minimumi do votohej psiqikisht. vota ime nuk dominon atje, por jam i detyruar t'i nënshtrohem vullnetit të partisë, ne duam të çregjistrohemi nga zgjedhjet, na vjen keq që kemi ndërmarrë një veprim të tillë. Ne nuk jemi parti shumë e madhe por sot i kemi 15 këshilltarë bashkiakë në gjithë Shqipërinë, kemi edhe një kryetar këshilli në Kukës”, u shpreh Beqiri.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, tha sot se nuk e kupton kërkesën e Idajet Beqirit për t’u tërhequr nga gara, kur dekretin e presidentit e konsideron të pavlefshëm.
“Ju jeni jurist i shquar. Mendoni që për këto arsye që ju thatë publikisht ia vlen një kërkesë e tillë? Ju e dini shumë mirë që nëse ka të bëjë me efekte procedurale, në këtë funksion që deklaruat…U futa se ndoshta ju si subjekt kishit një tjetër qasje në raport me dekretin”, u shpreh Zguri.
Klement Zguri braktisi sërish mbledhjen, pasi kërkoi që KQZ duhet të ndërpresë procesin për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Personalisht nuk dua të merrem me kompetencën e presidentit për të nxjerrë dekrete, nuk jam gjykatë kushtetuese që të shpreh kushtetshmërinë
E treta bëhet fjalë për një dekret që është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. KQZ duhet të ndërpresë procedurat për vijimin e zgjedhjeve”, u shpreh Zguri.

Më herët, Partia e Unitetit Kombëtar kërkoi çregjistrimin në KQZ nga zgjedhjet për pushtetit vendor të 30 qershorit.
Kryetari i Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri, përmes një kërkese zyrtare, i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të bëjë çregjistrimin e partisë nga zgjedhjet dhe të heqë emrin e saj nga listat për kryebashkiakë dhe këshilltarë, pasi sipas tij, zgjedhjet janë anuluar dhe dekreti është botuar në Fletoren Zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë