Politike

KQZ regjistron kandidatët e Bindjes Demokratike, Zguri kundër

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistron mes debatesh kandidatët e partisë më të re opozitare, Bindja Demokratike të Astrit Patozit, për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Debati është ngritur nga ana e përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ivi Kaso i cili ka kontestuar regjistrimin e kandidatëve të kësaj partie politike, pasi nuk është një parti e krijuar në 6 muajt e fundit. Bindja Demokratike kishte paraqitur si dokumente shtesë mbështetjen e dy deputetëve të Parlamentit, Andi Përmeti i cili ka një muaj që ka marrë mandatin dhe të Lefter Kokës së LSI. Por kjo është kundërshtuar me forcë nga ana e përfaqësuesit demokrat Ivi Kaso, i cili e ka cilësuar si ‘non sens’ faktin që një parti politike e krijuar në jo më shumë se një muaj, të ketë deputetë në Parlament në 6 muajt e fundit. “Duhet të jenë të paktën 6 muaj përpara si subjekt zgjedhor", tha ai.
Pikërisht ky qëndrim ishte dhe pikënisja e debateve në KQZ, pasi përfaqësuesi i PD-së kërkoi që të mos merren në konsideratë dokumentet e paraqitura. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba u shpreh se PD-ja nuk është subjekt zgjedhor dhe se nuk ka interes në këtë proces, duke e ftuar që vendimin e KQZ-së ta sfidojë në Kolegjin Zgjedhor. “Ju s’keni sfidë me një parti parlamentare si parti parlamentare, të mos ju gënjejë mendja, juve jeni në monitorim”, iu kundërpërgjigj Kaso.
Por nënkryetari Biba bëri të qartë se më parë KQZ-ja ka qenë e kritikuar për rregullat e vendosura sa i përket verifikimit të firmave të mbështetësve të kandidatëve apo dhe partive politike.

Ivi Kaso i PD, duke folur në mbledhjen e KQZ


“Ne jemi në vijimësi historike të të gjitha vendimmarrjeve. Këto janë kritere që u vihen forcave politike, që të ketë zgjedhje e pluralizëm. Në 2017 dhe në 2015, kur ne në lidhje me firmat mbështetëse të disa partive vendosëm jo filtër, por super filtër, OSBE/ODIHR e kritikoi KQZ-në për këtë teprim, duke mos u hapur rrugë partive për konkurrim. Pikërisht këtë po bëjmë që të jemi sa më me pozitivitet, të krijojmë tregun pluripartiak”, deklaroi Biba.

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri në diskutimin e tij është shprehur kundër faktit se Bindja Demokratike rezulton e mbështetur nga dy deputetë të Parlamentit. Kjo - sipas Zgurit - nuk është shprehur saktë në dokumentin e Kuvendit; nëse pikërisht deputetët Përmeti dhe Koka janë përfaqësues apo jo të Bindjes Demokratike në Parlament.

Dokumenti i deputetit Lefter Koka i depozituar në KQZ, ku Bindja e ka paraqitur për t'u regjistruar në zgjedhje


“Zoti Andi Përmeti ... vërtetimi i Kuvendit ... është deputet i Kuvendit të Shqipërisë... Deklarimi në Kuvend ... është deklaruar i pavarur por edhe si pjesë e subjektit politik Bindja Demokratike. Si ta kuptoj unë këtë që është edhe i pavarur dhe përfaqësues politik?! Kalojmë te shkresa tjetër... Lefter Koka është deputet i LSI... Ku lidhet që subjekti zotëron një mandat?! Që Koka është deputet i Kuvendit, askush nuk e kundërshton këtë fakt, qëllimi që është lëshuar nuk më çon kund”, deklaroi Zguri.
Kryekomisioneri propozoi që KQZ-ja t’i drejtohet Kuvendit për të saktësuar statusin e këtyre dy deputetëve të Kuvendit. Propozimi i tij u rrëzua me katër vota nga ana e anëtarëve të KQZ-së, Denar Biba, Bledar Skënderi, Eldira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri.
Ky qëndrim bëri që të hidhej në votim lista për kandidatët për kryetarë bashkie të kandidatëve të Bindjes Demokratike: Arben Skënderaj për Tiranën, Valbona Mezini për Vlorën, Ylber Gjeta për Kamzën, Leonard Olli për Korçën dhe Salvador Kaçaj për Lezhën. Gjithashtu KQZ mori vendimin që të urdhërojë KZAZ-të e Tepelenës dhe të Këlcyrës për të regjistruar Gëzim Malkë dhe Shkëlqim Muhajn.
Në të gjitha këto vendime kryekomisionieri Zguri votoi kundër, ndërsa 4 anëtarët e majtë votuan pro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë