Politike

KQZ refuzon Metën. Zguri braktis mbledhjen: S’jemi Gjykatë Kushtetuese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzon dekretin e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e datës 30 qershor për zgjedhjet lokale. Mbledhja e sotme e KQZ-së, u parapri nga një iniciativë e dy anëtarëve Denar Biba dhe Bledar Skënderi për të diskutuar mbi dekretin e nxjerrë nga presidenti për anulimin e zgjedhjeve.

Mbledhja ka nisur e tensionuar, pasi që në fillim të saj, kryetari i Komisionit të KQZ-së, Klement Zguri ka deklaruar se nuk mund të diskutohet për dekretin e presidentit, pasi sipas tij është detyrues. Ai ka kujtuar dhe precedentët kur më parë presidentë të tjerë kanë nxjerrë dekret që kanë shfuqizuar datën e zgjedhjeve dhe kanë nxjerrë një datë të dytë.

Kreu i KQZ, Klement Zguri


“Nuk më ka rastisur që të diskutojmë një dekret, ishte në 2006 dhe në 2017, edhe më parë në mos gaboj kanë qenë tre raste, në gjykimin tim në të drejtën, nuk dua të futen nëse janë ose jo në të drejtën e tyre, unë besoj se duhet t’i bindemi një dekreti të tillë, të njëjtën gjë po bëjmë edhe tani. Jemi në këtë moment përballë këtij fakti, nuk dua të gjykoj kompetencën e Presidentin, nuk jemi Gjykatë Kushtetuese të vendosë, për mua dekreti i Presidentit është detyrues. Respektim i ligjeve dhe hierarkisë duhet të prevealojë. Refuzoj t’i futem brendësisë, kompetencës dhe arsyeja të tjera, nuk është KQZ që është organi që e ka këtë detyrim. A mundemi që ne anëtarët e KQZ inferior në raport me presidencën ta refuzojmë këtë? Për mua është një lloj sfide që një rend dite nga dy kolegë i bëhet presidentit. Unë nuk mund ta drejtoj qetësisht këtë mbledhje të KQZ kur ka debate të fort,a nuk është një debat që zhvillohet në tavolinën e KQZ, duke qenë i qetë vetë, unë jam i detyruar të çohem, kolegët e mi mund ta zhvillojnë mbledhjen”, deklaroi Zguri, i cili u largua nga salla e mbledhjes.

Kryekomisioneri Zguri duke u larguar nga mbledhja e KQZ


Një veprim që mbase i ka gjetur të papritur katër anëtar e majtë të KQZ-së, të cilët janë detyruar që të vazhdojnë mbledhjen pa prezencën e kryekomisionerit. Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba mori drejtimin e mbledhjes dhe nisi i pari të mbajë qëndrimin kundër dekretit të Presidentit Meta. Ai e ka cilësuar si një akt juridik i pavlefshëm, pasi nuk është bazuar as në Kushtetutë dhe as në ligj.
“Presidenti refuzon të zbatojë urdhërimin që e detyron atë të caktojë datë zgjedhjesh. Sipas nenit 1 të Kushtetutës, qeverisja bazohet në sistem zgjedhjesh periodike, çdo katër vjet. Shfuqizimi i dekretit që përcaktonte datën 30 qershor është shkelje e hapur dhe flagrante e parashikimeve të mësipërme duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh dhe pa proces zgjedhor. Ky dekret nuk sjell asnjë pasojë juridike, ai konsiderohet se nuk ekziston, çdo subjekt që ndesh një akt të tillë nuk i nënshtrohet rregullave të tij dhe nuk e merr parasysh. KQZ ka detyrimin të vijojë punën”, ka thënë Biba.


Sipas tij, ‘Ky dekret i dytë që shfuqizon atë të nëntorit, është akt administrativ i pavlefshëm’, pasi kreu i shtetit nuk ka përcaktuar as datën se kur do të mbahen zgjedhjet, duke e lënë sipas tij vendin pa një datë zgjedhjesh.
“Në kundërshtim me nenin 108 të Kodit të Procedurave Administrative, bie në kundërshtim me dispozitën urdhëruese të kodit. Bie ndesh me parimin e parashikuar nga neni 4 i kodit të procedurës administrative, sipas të cilit organet ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda kufijve të kompetencave dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë këto kompetenca. Presidenti ka diskrecion të caktojë një datë, por jo të shkojë përtej kësaj dhe akoma më keq të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Duke shfuqizuar sot dekretin e nëntorit vendi është pa datë zgjedhjesh”, theksoi Biba.
Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe anëtarët e tjerë të KQZ-së, duke përmendur faktin e mos pasjes së të drejtës për të nxjerrë një dekret për shfuqizimin. Ndërsa anëtarja e KQZ-së, Edlira Jorgaqi nxori si tjetër argument edhe faktin se po shpenzohen mbi 300 milionë lekë të reja për procesin zgjedhor dhe se KQZ-ja ka të drejtën që të mbrojë të mirën publike. Anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi ironizoi edhe qëndrimet e presidentit se po mbron atdheun dhe Kushtetutën, duke shprehur pakënaqësi edhe për faktin e largimit të kreut të KQZ-së nga mbledhja.

Katër anëtarët e KQZ në mbledhjen e sotme


Të gjithë anëtarët ishin në union në qëndrimet e tyre: Presidenti ka kompetencë vetëm për dekretuar datën e zgjedhjeve. Por anulimi i datës së zgjedhjeve nuk është në nocionin ligjor. Sistemi jonë i brendshëm ligjor nuk ia ka dhënë këtë kompetencë presidentit. Nga pikëpamja juridike ky është një akt nul. Pas mbylljes së këtij debati, KQZ, me katër anëtarë vijoi shqyrtimin e rendit të ditës ku miratoi shpërndarjen e fondeve për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe plotësimin me komisionerë apolitikë në KQV dhe KZAZ.

Reagimi i ashpër i opozitës; u kujton burgun 4 anëtarëve
Vendimi i KQZ-së u komentua menjëherë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste. Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Ivi Kaso do të deklaronte se “Refuzimi i pashembullt i KQZ, për të zbatuar dekretin e Presidentit të Republikës, është hapi i parë i një puçi institucional! Asnjë akt i mëtejshëm lidhur me zgjedhjet s’mund të jetë i ligjshëm dhe i vlefshëm për sa kohë s’ka datë të dekretuar për zgjedhjet!”.

Reagim nëpërmjet rrjeteve sociale do të mbante dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, duke e cilësuar qëndrimin e katër anëtarëve si një shpërdorim të turpshëm të detyrës. “Këta që marrin përsipër të shqyrtojnë dhe të refuzojnë një dekret presidencial, janë ekzaktësisht të njëjtët militantë që pohuan përpara Gjykatës Kushtetuese se Kushtetuta mund të ndryshohet edhe me vendim qeverie. Po të njëjtët, sot, thonë se Dekreti i Presidentit të Republikës shpallet i pavlefshëm me vendim të degës së Partisë Socialiste në KQZ! Në shtetin e ndërtuar nga Edi Rama nuk ka nevojë as për President të Republikës, as për Gjykatë Kushtetuese, as për Gjykatë të Lartë, as për Prokuror të Përgjithshëm, as për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në shtetin e Edi Ramës, të ndërtuar sipas modelit orevellian të Fermës së Kafshëve, mjafton vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama! Kjo është e papranueshme dhe shqiptarët nuk kanë për ta pranuar kurrë! “Edi Rama mirë, gjithë të tjerët keq” ka marrë fund që më 16 Shkurt!”, shprehet Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i KQZ, Gazment Bardhi


Ndërsa nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili i kujtoi burgun katër anëtarëve të KQZ-së. “KQZ e krimit të organizuar konsumoi veprën e rëndë të puçit institucional, duke refuzuar dekretin e Presidentit per zgjedhjet. Anëtaret e e rilindjes në KQZ u vetëngarkuan me përgjegjësi shumë të rëndë penale nga e cila nuk i shpëton dot as Edi Rama dhe askërkush. Meqë kanë zgjedhur të shkojnë në burg për Edi Ramën. Udhë të mbare!”, shprehet Vasili.

 

Më Shumë