Lajme

KQZ njeh 30 qershorin edhe pse dekreti i Metës u botua në Fletoren Zyrtare

Edhe pse dekreti i Presidentit Ilir Meta, që shfuqizon 30 qershorin u botua dje në Fletoren Zyrtare, shumica në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka thirrur mbledhjen e radhës sot në orën 13:00. Në këtë mënyrë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon vazhdimin e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve.
Katër anëtarët e zgjedhur nga e majta nuk e njohin vendimin e Metës për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe duan të vijojnë normalisht punën.
“Bazuar në nenin 22, pika 2, e Kodit Zgjedhor, nenin 12 të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, Zv. Kryetari z. Denar Biba, Anetaret; z. Bledar Skenderi, znj. Edlira Jorgaqi dhe znj. Rezarta Bitri kanë kërkuar thirrjen e mbledhjes, sot, me 12.06.2019, ora 13:00”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Në rendin e ditës do të jenë:

“Për miratimin e listës emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen kryesisht anëtarë KQV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”.

“Për dhënien e autorizimit për ndryshimin e vendndodhjeve të disa QV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”.

‘Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Institutit Demokratik Amerikan ( NDI), për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”.

“Për një shtesë në Vendimin nr. 669, të datës 28.05.2019 ‘Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të KSHH’, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”.

“Për miratimin e vëzhguesve afatgjatë të Shoqatës për Gratë dhe Fëmijët, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019”.

Në mbledhjen e parë të zhvilluar ditën e hënë, katër anëtarët e KQZ-së refuzuan të zbatojnë dekretin e Metës, duke e quajtur atë si antikushtetues dhe të pavlefshëm.

Ndërsa, kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, u shpreh se nuk mund të vihet në diskutim dekreti i presidentit, pasi sipas nuk janë Gjykatë Kushtetuese. Zguri u largua nga mbledhja, duke ia lënë drejtimin zv.kryetarit Denar Biba.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë