Politike

KQZ, loja e minutave të fundit e partive në betejat zgjedhore

Bledar Hoti – Përbërja politike e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një institucion kolegjial me anëtarë të propozuar kryesisht nga dy partitë kryesore politike, ka qenë përherë “mollë sherri” mes PS-së dhe PD-së dhe që ka ndikuar në shumë procese zgjedhore.

Kjo për faktin se jo vetëm KQZ si institucion qendror, por edhe komisionet e niveleve të dyta dhe të treta, kishin një përbërje puro politike. Votat e zgjedhësve prej dy dekadash i numërojnë partitë kryesore politike. Si PD dhe PS kur kanë qenë në opozitë, nuk kanë pasur besim te qeveria e kanë kërkuar të kishin njerëz e besuar të tyre në procesin e votimit dhe në anëtarët e komisioneve.

Aktualisht KQZ-ja ka mbetur me tre anëtarë, dhe është në pritje të plotësimit me katër anëtarë të tjerë. Anëtarët që iu ka mbaruar mandati janë Bledar Skënderi, Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni dhe Gezim Veleshnja. Pas krijimit të kësaj vakance, Kuvendi u ka bërë thirrje partive parlamentare që të paraqesin kandidaturat e tyre. Partia Socialiste i ka propozuar dy anëtarët e saj, ata janë Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga e majta në të djathtë anëtarët Gezim Veleshnja, Edlira Jorgaqi, Denar Biba, Klement Zguri (kryetari), Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni dhe Bledar Skënderi

Kuvendi, institucioni që ka të drejtën të votojë anëtarët e KQZ-së, është në pritje të propozimit të emrave nga ana e opozitës, pasi Kodi parashikon një votim njëherësh për të gjithë anëtarët e këtij institucioni.

Për shkak të situatës politike, PD-ja ka vendosur që të mos paraqesë kandidatë për anëtarë të KQZ-së, duke e lënë këtë çështje pezull, për ta zgjidhur sipas precedentëve në minutat e fundit të startit të lojës, disa muaj përpara nisjes së zgjedhjeve. Dhe kjo është realizuar në jo pak raste pas arritjeve të marrëveshjeve politike mes PS-së dhe PD-së.

Ndërsa PD-ja ka marrë këtë vendim, e cila duket që kushtëzohet nga reforma zgjedhore, si dhe nga nisma e opozitës për Vettingun në politikë. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, e mbetur pa anëtarë dhe në mëshirë të aleatit të ri politik, e ka të qartë qëndrimin sa i përket KQZ-së.

“Nuk kemi asnjë raport me Parlamentin për këtë çështje, sepse kjo kërkesë ka lindur nga Parlamenti. Dhe pa vendosur Parlamentin në ligjshmërinë e tij, nuk do ketë asnjë komunikim me Parlamentin për asnjë çështje përfshirë dhe çështjen në fjalë. Pasi siç e dini janë dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me emërime apo me propozime që lidhen dhe me institucione të tjera për të cilat ne kemi ndërtuar këtë marrëdhënie të kushtëzuar pasi ky Parlament është inekzistent. Dhe nuk mund të shkojmë të diskutojmë për këtë filan kandidat ndërkohë që ka çështje madhore. Është një Parlament i bllokuar i kapur dhe që flet dhe funksionon në mënyrë moniste”, deklaroi kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili gjatë konferencës për shtyp.

Kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili

Zytari i lartë i LSI-së, Vasili ndërkohë hodhi poshtë mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve, duke fajësuar PS-në për bllokim të reformës zgjedhore. “As do të ketë bojkot zgjedhjesh, të jeni të qetë. Ju duhet t’u preokupojë jo kjo, por sesi KQZ është bllokuar dhe në mënyrë të njëanshme, PS ka marrë dhe ka paraqitur draftet e saj duke shënuar gjëma të padëgjuara në historinë e pluralizmit shqiptar se kurrë një parti politike nuk ka paraqitur në mënyrë të njëanshme draftet e reformës duke bllokuar Reformën Zgjedhore, e ç’mund të flasim për KQZ ? Edhe njëherë po ju them me shumë bindje që besoj të ndrijë dhe horizontin më të gjerë në këto përgjigje. Kemi një komision të Reformës Zgjedhore të bllokuar, që është një nga prioritetet e vendosura në kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim”, theksoi Vasili.

KQZ, një histori përplasjesh PS-PD

Manipulimi i zgjedhjeve apo braktisja e anëtarëve të komisioneve nga e PS-së më 26 maj të vitit 1996 në votimet parlamentare, bëri që pas dy vitesh, PS-ja asaj kohe në pushtet KQZ-në ta përfshinte në Kushtetutë, me një përbërje prej 7 anëtarësh. Me afrimin e zgjedhjeve lokale në vitin 2000, në qershor, u shënua fillimi i aktivitetit të KQZ-së me gjashtë anëtarë të emëruar sipas Kushtetutës, dy nga Presidenti i Republikës, tre nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe një nga Kuvendi. Një muaj më pas, dhe pikërisht në Korrik të vitit 2000, Kuvendi emëroi anëtarin e shtatë të KQZ-së.

Shtatë anëtarët e parë të KQZ-së të konstituuar ishin Fotaq Nano, kryetar;  Mimoza Arbi, zëvendëskryetare; e anëtarët  Maksim Shimani, Klement Zguri,  Pandeli Varfi, Shahin Bistri dhe Gasper Kokaj.

Kjo përbërje e saj u kontestua nga liderit të PD-së, Sali Berisha, i cili theksonte se raporti mes mazhorancës dhe opozitës në këtë institucion ishte 5 me 2, në favor të të majtëve. Gaspër Kokaj dhe Klement Zguri ishin përfaqësues të opozitës.

Zgjedhjet lokale të tetorit vitit 2000  u zhvilluan me tensione të mëdha, opozita akuzoi socialistët për manipulime. Për shkak të krizës politike, ambasadori amerikan Jozef  Limpreht trokiti në zyrën e KQZ-së. Disa ditë më pas Fotaq Nano u detyrua që të jepte dorëheqjen si kryetar i këtij institucioni. Pas tij u pasuan edhe dorëheqjet e  anëtarëve të tjerë si Mimoza Arbi dhe Shahin Bistri.

Më 10 shkurt të vitit 2001, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjodhi dy anëtarët e rinj të këtij Komisioni që ishin  Ilirjan Celibashi dhe Igli Toska, dhe më 12 Shkurt të po këtij viti Kuvendi zgjodhi dhe Tomorr Malaj si anëtar të këtij komisioni.

Zgjedhjet parlamentare të 2001 u kontestuan fuqishëm nga opozita e djathë, e cila akuzoi për manipulime. PD dhe aleatët e saj shpallën bojkotin disa mujor të parlamentit. Votimet e përsëritura në një zonë zgjedhore të Elbasanit për deputet shkaktoi përplasje jo të vogla. Në këto votime të përsëritura doli në skenë formula e famshme e Dushkut, ku kryeministri i asaj kohe Fatos Nano për të arritur votat e Presidentit, bëri përsëritje të zgjedhjeve në këtë zonë elektorale të Lushnjës, duke i kërkuar elektoralit të tij që votat e PS-së t’i kalonin aleatëve të tij minor.

Kjo skemë u bllokua, pasi ndërkombëtarët kërkuan që Presidenti të zgjidhej konsensual, duke nënkuptuar një kandidaturë që propozohej nga radhët ePD-së.

Përpos këtij kushti, kryesocialisti Fatos Nano dhe kryedemokrati Sali Berisha firmosën marrëveshjen me ndërmjetësimin i OSBE-së, ku u vendos për balancimin e KQZ-së, ku raporti mes maxhorancës dhe opozitës në këtë institucion do të ishin 4 me 3. Për këtë anëtari Maksim Shimani u detyrua të jepte dorëheqjen dhe në vend të tij do të caktohej i propozuari i PD-së, Çlirim Gjata, i cili më vonë do të zgjidhej dhe kryetar i KQZ-së.

Balancat në KQZ do të ishin 4 me 3 në të gjitha institucionet.

Fatos Nano dhe Sali Berisha

Me zgjedhjet e vitit 2003, lokalet, KQZ-ja u rikompozua edhe një herë. Zgjedhja e Dëshira Subashit nga KLD në këtë institucion prishi balancat, ndërsa për shkak të tensionit politik dhe kërkesës së LSI-së, së drejtuar nga Ilir Meta, partitë vendosën ndryshimin e Kushtetutës, duke e çuar numrin e këtij institucioni në 9 anëtarë. LSI-ja kishte përfaqësuesin e saj, Genti Shalën.

Por në zgjedhjet lokale të 2007 pati një përplasje mes palëve, e cila u zgjidh vetëm pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga presidenti i asaj kohe, Alfred Moisiu. Kreu i shtetit u detyrua që të nxirrte dy dekrete për datën e zgjedhjeve, pasi bindjes së demokratëve për përdorimin e certifikatave në zgjedhje.

Në prill të 2008 pas një marrëveshjeje politike PS-PD u ndryshua Kushtetuta. KQZ u hoq si institucion kushtetues dhe tashmë do të kishte 7 anëtarë dhe se zgjedhja e tyre do të bëhej sipas Kodit Zgjedhor, nga Parlamenti dhe jo nga institucionet e tjera, me propozimin e partive politike.

Shtatë anëtarët duke u betuar në Parlament

Me ikjen e LSI-së nga koalicioni i majtë dhe zgjedhjes nga PD-ja të Klement Zgurit në vitin 2013, anëtarët e majtë në KQZ, Denar Biba dhe Albana Shtylla të zgjedhur nga PS bojkotuan KQZ si shenjë hakmarrje ndaj këtij veprimi për shkarkimin e anëtarit Ilirjan Muho, duke kërkuar anulimin e votimit të Kuvendit dhe kthimin e legjitimitetit të këtij institucioni.

Më pas edhe anëtari Jani Jani i PBDNJ-së, i cili ishte zgjedhur me propozimin e socialistëve u largua nga KQZ, duke e futur në krizë këtë institucion.

Albana Shtylla dhe Denar Biba gjatë deklarimit për largimin e nga KQZ

Më pas mazhoranca socialiste zgjodhi tre anëtarët e tjerë të KQZ-së. Denar Biba, Gëzim Veleshja dhe Edlira Jorgaqi.

Por përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, opozita kishte nisur protestat përpara Kryeministrisë dhe paralajmëronte bojkotimin e zgjedhjeve në rast se nuk do të plotësonin kushtet e saj.

Me marrëveshjen e 17 majit 2017 mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha, u ra dakord që kryetari i KQZ-së t’i kalojë opozitës, duke caktuar Klement Zgurin.  Denar Biba për shkak të kësaj marrëveshjeje u detyrua të jepte dorëheqje dhe të zgjidhej më pas anëtar i thjeshtë dhe më pas, nënkryetar i këtij institucioni.

Raporti në KQZ ishte 4 me 3 në favor të socialistëve. Por në këto zgjedhje ky raport ndryshoi pasi LSI-ja nuk përfaqësonte më mazhorancën, kishte dalë në opozitë.

Edhe kësaj here opozita u fut në “minutat e fundit” në betejën elektorale, pasi zgjedhjet u mbajtën një muaj më pas, gjë që solli kosto edhe sa i përket përgatitjes dhe arritjes së standardeve të kërkuara.

 

Më Shumë