Politike

KQZ lë PD e LSI pa komisionerë

Mes debatesh mes anëtarëve dhe përfaqësuesve politik, KQZ-ja rrëzon kërkesën e opozitës për regjistrimin e anëtarëve të KZAZ në zgjedhjet e 30 qershorit.
Katër anëtarët e KQZ-së, të propozuarit nga PS-ja, Denar Biba, Eldira Jorgaqi, dhe Rezarta Bitri votuan kundër përfshirjes së PD dhe LSI me komisionerë në zgjedhje, në KZAZ. Ndërsa kryekomisioneri Klement Zguri votoi pro.
Anëtarët e PS-së në KQZ deklaruan se nuk mund të regjistrojë anëtarët e LSI-së dhe PD-së, pasi për të pasur të drejtën për t’u bërë pjesë e KZAZ-ve duhet të kesh të drejtën e subjektit zgjedhor, pra të jesh i regjistruar në zgjedhje dhe parti parlamentare.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, tha se është e drejtë ligjore për të pasur komisionarë mbi bazën e nenit 29 të Kodit Zgjedhor. Ai tha në mbledhjen e KQZ, se në procesin e deritanishëm ka shkelje të mëdha ligjore që sipas tyre lidhen me regjistrimin e kandidatëve të tjerë, siç janë të Bindjes Demokratike të Astrit Patozit, që sipas Kasos, por tentohet të krijohet një opozitë fasadë.
Kaso tha se anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë kërcënuar për të mos pranuar regjistrimin e komisionerëve. Ndërkohë nga ana tjetër tha se nëse do të ketë ndonjë vendimmarrje kundër pranimit të komisionerëve, atëherë do të përballen me përgjegjësi penale.

Ivi Kaso përfaqësuesi i PD-së në KQZ


“Opozitë fasadë për të zëvendësuar opozitën e vërtetë. Është një proces zgjedhor i mbushur me paligjshmëri, që në më shumë se gjysmën e bashkive ofron një kandidaturë të vetme. Eksponentë të mazhorancës kanë kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë komisionerët tanë. Anëtarët e KQZ të mos bien pre e presioneve. Ju paralajmëroj se nëse nuk udhëhiqeni nga ligji, do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale në rast të shpërdorimit të detyrës. Ligji është i qartë dhe nuk mund të bëhet objekt debati”, tha Ivi Kaso.
Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba, tha se ky është një shantazh shumë i rëndë për të ndikuar në mënyrën e votimit, në sajë të kërcënimit. Kaso tha se vetëm sa parashtroi të drejtat ligjore që sipas tij i takojnë PD-së. “Ivi na shantazhove. Ishte shumë e rëndë dhe e ulët. Është hera e parë që ndodh kjo në tavolinën në KQZ”, deklaroi Biba.
Gjithashtu ai kërkoi të dijë nga PD se në çfarë cilësie janë në KZAZ, pasi opozita ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor. “Zgjedhje me datë 30 qershor nuk ka për të pasur Shqipëria. Ne duam komisionerët që për për të monitoruar procesin, pasi kemi të dhëna se po kryhet paligjshmëri në KZAZ-të . Komisionerët nuk kanë për të zhvilluar asnjë detyrë tjetër me atë që parashikon ligji dhe aktet nënligjore që parashikon ligji”, tha Kaso.
Pikërisht deklaratat e PD-së se zgjedhjet nuk do të ketë më 30 qershor, është cilësuar nga anëtarët e KQZ-së si një abuzim me të drejtën, ku qëllimi kryesor i një partive politike është pjesëmarrja në zgjedhje.
“KQZ nuk mund ta pranojë këtë kërkesë, pasi PD-ja nuk i plotëson kriteret kryesore, si parti politike dhe si subjekt zgjedhor”, tha anëtarja Edlira Jorgaqi, që shprehu votën kundër.
Anëtari Bledar Shkëmbi iu përgjigj dhe akuzave për kërcënime nga opozita, duke theksuar se “ligji dhe Kushtetuta janë bibla në punë e tyre dhe se asgjë nuk i tremb”. Ai shtoi se PD-ja nuk e gëzon të drejtën, pasi Kodi Zgjedhor duhet parë në tërësi dhe jo vetëm te neni 29 i tij.

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba


Nënkryetari i KQZ-së, Biba deklaroi se një parti politike duhet t’i ketë dyja kushtet parti parlamentare dhe subjekt zgjedhor. “Duke abstraguar nga statusi i partisë parlamentare, nëse e gëzon këtë çështje, edhe pse ka dyshime të forta, nëse e vlerëson nëse PD është sot parti parlamentare, PD dhe LSI janë opozitë, por a janë opozitë parlamentare? Ku provokimi në fjalë u hodh në media, them se si ka mundësi që parti politike që nuk marrin pjesë në zgjedhje të kërkojnë të marrin pjesë në administrimin e zgjedhjeve kur shprehin se nuk e njohin. Në asnjë lloj rrethane nuk ka një jurist që ta interpretojë ligjin në një mënyrë të tillë. Nuk e di se si po bëhet ku provokim, se do të çojmë komisionerë për të monitoruar zgjedhjet, ku ligji e tregon qartë se nëse nuk je subjekt zgjedhor nuk mund të kesh të drejtë që të marrësh pjesë në administrimin e zgjedhjeve. Nuk e di se pse erdhi ky provokim në tavolinën tonë, le të mbetej mediatik në tavolinë?”, theksoi Biba.

Klement Zguri, kreu i KQZ

Por qëndrimi i 4 anëtarëve ka hasur në kundërshtimin e fortë të kryekomisionerit Zguri, i cili tha se kërkesa e paraqitur është e drejtë dhe këtu nuk bëhet fjalë për çështje morali, duke debatuar me nënkryetarin Biba.
“Po pse qenka provokim? A janë parti politike këta apo jo? Nëse dyshojmë le t’i drejtohemi gjykatës nëse janë parti politike? Nuk ka asnjë pikë përtej një lloj moraliteti, përtej kësaj. Le të ma thonë z.Zguri, që kjo gjë ndalohet, se këto parti politike dhe nuk kanë të drejtën që të legjitimohen. I mëshoj edhe një herë, partitë po refuzohen me qytetarë, ne refuzojmë t’i emërojmë. Po qytetarët a janë subjekte zgjedhor? Kush do t’i ndryshojë ato?. Për të mos u zgjatur unë e cilësoj të drejtë këtë kërkesë dhe e hedh në votim”, theksoi Zguri. Por një kërkesë e tillë u rrëzua nga 4 anëtarët e KQZ-së.

Reagimet e PD-së dhe të LSI-së

Përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso pas vendimmarrjes, deklaroi se KQZ-ja kishte detyrimin që ta miratonte listën, pasi kërkesa e PD dhe LSI ishte propozuar brenda afateve. “Janë në përputhje me ligjin, KQZ nuk ka pasur asnjë arsye ligjore për të refuzuar, kuptohet vetëm urdhrit politik, Edi Rama janë të shqetësuar për praninë e opozitës, mazhorancën e ka zënë tmerri nga paligjshmëria”, theksoi Kaso.
Ndërsa paralajmëroi se PD-ja do ta dërgojë këtë ankim në Kolegjin Zgjedhor dhe do t’i drejtohet organizmave ndërkombëtare për këtë shkelje.
“Sigurisht opozita e bashkuar dhe PD-ja do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë dhe do t’i drejtohet menjëherë partnerëve tanë ndërkombëtarë, misionit OSBE-ODIHR. Denoncimet janë të shumta, duke i paraqitur me emër dhe mbiemër. Duke filluar nga KQZ, pasi PS ka 4 anëtarë të drejtpërdrejtë në KQZ, në një kohë kur i takojnë dy anëtarë”, theksoi Kaso.

Për këtë vendim reagoi edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Nënkryetari i kësaj force, Luan Rama se “KQZ-ja, një trupë tërësisht e paligjshme pasi e gjithë veprimtaria e saj tanimë është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, ka ndërmarrë hapin e radhës duke kryer në këtë mënyrë shërbimin e radhës ndaj qeverisë”.

Me paligjshmërinë e veprimtarisë së vet, KQZ sipas LSI-së, bëhet pjesë e tërësisë së sjelljes kriminale që ka të bëjë me zgjedhjet në Shqipëri.

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama gjatë konferencës së sotme për shtyp

“Mos regjistrimi komisionerëve përfaqësues të opozitës, që është detyrim i Kodit Zgjedhor, është përpjekja e radhës për të bërë të mundur që farsa zgjedhore të jetë skandaloze dhe në përmasat e një krimi elektoral pa shkuar ende në ditën e zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili me 4 përfaqësues nga mazhoranca është në ilegjimitet të plotë, është në shkelje të Kodit Zgjedhor, është ndërkaq instrumenti i radhës i një veprimtarie kriminale të nisur më herët dhe që dëshmon se 30 qershori nuk do të jetë ditë dhe datë zgjedhjesh në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Ai i ftoi qytetarët në protestë e 25 majit, ku sipas tij revolta dhe mosbindja qytetare t’i thotë ndal njëherë e mirë të keqes dhe ilegjimitetit të zgjedhjeve.


 

Më Shumë