Lajme

KPK konfirmon në detyrë prokurorin Besim Hajdarmataj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmua në detyrë prokurorin Besim Hajdarmataj, ish-drejtues i Krimeve të Rënda dhe aktualisht prokuror në këtë institucion.
Prokurori Hajdarmataj doli paraditen e së hënës para trupës gjykuese të komisionit të vettingut dhe rezultoi pa probleme.
Ish-drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda është paraqitur personalisht në KPK pa përfaqësimin nga një avokat. Trupa gjykuese vendosi konfirmimin në detyrë të tij si dhe transferimin e dosjes penale të Përmetit për 12 ton droge për shkelje disiplinore në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.
Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.
Në maj të vitit 2018, kryeprokurorja Arta Marku e shkarkoi Hajdarmatajn si drejtues të Prokurorisë për Krimet e Rënda, duke e zëvendësuar me Donika Prelën. Disa muaj më vonë, Marku e transferoi Hajdarmatajn në Pogradec, por në fillim të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ktheu atë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë por këtë herë si prokuror.
Hajdarmataj është prokurori që ka hetuar dosjen e bujshme të ish-ministrit Saimir Tahiri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë