Lajme

Kozma Lara-Sonatë Lamtumire

Sa herë do i shkonte detit pranë, në breg për t’ia zbuluar misteret që përplaste e pështillte mes valëve, do të kthehej pas me një frymëzim. “Enigmën e pafundësisë nuk ia gjeta asnjëherë. Kaq i madh ishte deti”, do të thoshte në fjalët e tij të fundit, kompozitori, gjatë aktivitetit që Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi në nder të tij, në dhjetor të 2018-ës. Kompozitori me origjinë arumune, që u lind dhe u rrit pranë detit, në qytetin e Durrësit, u nda nga jeta në moshën 89 –vjeçare, ndërsa breza të tërë muzikantësh që mësuan prej tij, organizuan një ceremoni homazhesh, në hollin e Universitetit të Arteve, përpara se Kozma Lara t’i drejtohej banesës së fundit.

Edhe pse i kërrusur nga vitet, i moshuar, gishtërinjtë mbi piano nuk e kishin humbur zhdërvjelltësinë. Tingujt do të thoshte ai marrin jetë, bëhen të gjallë kombinohen dhe mishërohen në një vepër, e madhe apo e vogël qoftë ajo.  I dashuruar me muzikën që në moshë të re, nuk do të hiqte dorë nga ëndrra. Pasi kreu shkollën e mesme të përgjithshme në Durrës,  ndoqi studimet për piano në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas do të nisej drejt Rusisë, për të studiuar kompozicion në në Konservatorin “Pjetër Iliç Çajkovki” të Moskës.  Me prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-ruse, studimet do t’i mbyllte në Tiranë, si një brez i tërë intelektualësh që u detyruan të ktheheshin atokohë. Nga viti 1964  e deri më  1972 kontribuon si Pedagog i Analizës dhe Kompozicionit, njëkohësisht Shef i Katedrës së Kompozicion-Dirigjimit,  në  Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Më pas, për gjashtë vite ishte inspektor, specialist  për Muzikën në Ministrinë Arsimit e Kulturës, Tiranë dhe do të rikthehej në Durrës, si mësues i Harmonisë, Analizës dhe Orkestracionit pranë Shkollës se Mesme të Muzikës Jan Kukuzeli.

Kozma Lara

Rikthehet më 1979 si pedagog, Shef i Katedrës së Teori- Kompozicionit në Fakultetin e Muzikës, Pedagog i Analizës dhe Kompozicionit, në Institutin e Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve dhe vijon të kontribuojë si pedagog i jashtëm, edhe pas daljes në pension, në vitin 1995. Krijimtaria muzikore e Kozma Larës është e pasur dhe e shtrirë në disa gjini muzikore, si suita, koncerte, valle, rapsodi, simfoni, prelude, balada, variacione e sonata, opereta, balete, vepra për muzikë dhome. Mes më të rëndësishmeve është  “Simfonia nr. 1 në Fa minor,” “Koncert për piano e orkestër nr. 1,” “Koncert për piano e orkestër nr. 2,” “Koncert për piano e orkestër nr. 3,” “Koncert për piano e orkestër nr. 4,” “Koncert për piano e orkestër nr. 5”, por edhe  kuartetet për harqe. Lara kompozoi edhe baletin  “Fatosi partizan”, e cila e merrte  subjektin nga Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Lara do të hartonte edhe dy tekste mbi “Analizën e Veprave muzikore” për shkollat e mesme dhe Universitetin e Arteve). Hulumtimet e tij teorike u botuan së fundi si  libër i veçantë. “Nga ballafaqimi me detin, fillova  të bisedoja me të, të bëja monologë, të shihja dallgët herë të qetë e herë të rrëmbyeshme... më ndihmuan të kuptoja dramaturgjinë muzikore, kontrastin mes tyre”, do të thoshte vetëm një muaj më parë kompozitori, ndërsa ndihej i lirë, ashtu siç ishte ndjerë edhe kur shkruante veprat e tij, duke e sfiduar regjimin. Kozma Larta njihet  si autori i sonatës së parë për piano në Shqipëri, ndërsa ndarja nga jeta, për ata që mësuan prej tij dhe luajtën kompozimet që la pas, tingëllon si sonatë lamtumire.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë