Politike

“Kotzias”, 1 mln euro për të kontrolluar median shqiptare?

Përmasat e krizës politike brenda koalicionit qeverisës në Greqi shndërrohen në një skandal rajonal. Mediat greke publikuan së fundmi se në përplasjen mes ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos dhe ish-ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias rol vendimtar kanë patur fondet që legjislacioni grek i njeh si “buxhete të fshehta”.

Këto fonde jepen nga qeveria greke për 8 ministri të saj dhe investohen në mbrojtjen e interesave të Greqisë brenda dhe jashtë vendit. Kontrolli se si janë shpenzuar këto para kryhet nga komisionet parlamentar greke në seanca të mbyllura dhe pa praninë e mediave, pasi përhapja e këtyre informacioneve, sipas ligjit grek, mund të cenojë sigurinë dhe dëmtojë interesat e vendit.

Një mbledhje e ngjashme është zhvilluar më 10 tetor në Parlamentin grek, ku është audituar fondi i Ministrisë së Jashtme, të drejtuar në ato ditë nga Nikos Kotzias. Nga auditimi, sipas asaj që publikojnë mediat në Greqi ka dalë në pah shpërdorimi i mbi 1 milionë eurove.

Ku janë hedhur këto para? Zyrtarisht nuk mund të sigurohet asnjë informacion për këtë, por jozyrtarisht mediat në Greqi thonë se Nikos Kotzias ka argumentuar shpenzimin e tyre në tre drejtime dhe jashtë kufijve të Greqisë.

Së pari, sipas asaj që publikohet në mediat greke thuhet se paratë janë “investuar” tek mediat dhe gazetarë. Mediat online në Greqi shkruajnë se në tetor janë transferuar 1 mln euro për portale e gazetarë në Shqipëri për të mbrojtur interesat greke. Së dyti, besohet se një pjesë është kaluar në drejtim të Maqedonisë për të njëjtat qëllime dhe së treti për të mbështetur e promovuar kishën ortodokse dhe ortodoksinë në përgjithësi.

Për shpenzimet për kishën ortodokse dhe ortodoksizmin, mediat greke thonë se nuk ka patur asnjë debat, por sherri ka nisur për paratë e hedhura për mediat në Shqipëri.

“Paratë u përdorën për të patur publikime pozitive për Greqinë nga gazetarët dhe mediat në Shqipëri dhe Maqedoni për të mirën e interesave greke”, citohet argumentimi i Nikos Kotzias nga mediat greke.

Duke cituar burime pranë Ministrisë së Jashtme në Athinë Top Channel thotë se një pjesë e madhe e buxhetit sekret të kësaj ministrie jepet në formë grantesh dhe ndihmash në media dhe organizma të ndryshme në rajon për të paguar gazetarë, portale, por edhe media të caktuara.

Janë qindra mijera euro që jepen në aktivitete në Shqipëri, ndërsa ajo çka thuhet jozyrtarisht nëpër korridoret e Ministrisë së Jashtme greke, të paktën sipas Top Channel, është fakti që për të bërë marrëveshje mes dy vendeve, duhet të paguash mirë portalet shqiptare.

Mësohet gjithashtu se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo per financimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek në vendin tonë. Para në subvencione janë dhënë për zyrtarë të ndryshëm të minoritetit, në formë kompensimi rroge, në mënyrë që të mos largohen nga Shqipëria, për të emigruar në Greqi.

Në parim, as opozita greke dhe as ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos nuk kanë qenë kundër shpenzimeve të tilla, por kanë akuzuar Ministrinë e Jashtme për shifra shumë përgjithësuese, pa të dhëna konkrete se ku kishin përfunduar këto para. Në total, vetë Panos Kamenos e akuzon Kotziasin se ka abuzuar me 45 milionë euro.

Debati mes Kamenosit dhe Kotziasit është reflektuar në mbledhjen e fundit të qeverisë greke. Dy ministrat kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin dhe në fund të tij, Kotzias ka dorëzuar dorëheqjen, ku sipas mediave greke ka listuar edhe mediat, personat dhe organizatat ku janë derdhur këto fonde.

Partitë opozitare nuk akuzojnë vetëm Kotziasin, por vetë Kryeministrin Tsipras. Demokracia e Re thotë se rasti në fjalë tregon abuzimin me fondet shtetërore nga qeveria dhe kërkon nga prokuroria që të nisë hetimet.

“Ajo me të cilën po njihet publiku sot për menaxhimin e buxheteve të fshehura është një çështje politike madhore. Sot, gjithsecili duhet të flasë, që nga Kotzias, Kamenos dhe vetë Tsipras”, thuhet në një deklaratë të Demokracisë së Re.

Zyra e shtypit e Kryeministrit Tsipras iu përgjigj duke deklaruar se çdo gjë është bërë me informimin e Parlamentit dhe i kujtoi opozitës kohën kur ishte në pushtet.

“Të fundit që duhet të flasin për shpërdorimin e buxheteve të fshehta janë Demokracia e Re dhe Dora Bakojanis”, thuhet në reagimin e zyrës së Kryeministrit grek.

Dora Bakojanis ka mbajtur postin e ministres së Jashtme të Greqisë dhe ajo është firmëtarja e marrëveshjes së detit në vitin 2009, e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë