Më 16 shkurt është parashikuar të luhet një ndeshje simbolike mes Shqipërisë e Kosovës në formë festimi të përvjetorit të 13-të të Pavarësisë së Kosovës. Miqësorja e legjendave të Kosovës dhe Shqipërisë, e përcaktuar të luhet më 16 shkurt për nder të Pavarësisë së Kosovës, ka ndryshuar destinacion. Vëllazërorja festive do të zhvillohet në Prishtinë, por për shkak të kushteve atmosferike Federata kosovare e ka zhvendosur nga stadiumi “Fadil Vokrri” në atë të skuadrës “2 Korriku”, teksa orari nuk lëviz dhe sfida do të jetë në orën 12:00.
“Ju njoftojmë se ndeshja e datës 16.02.2021 (ditë e martë) ndërmjet veteranëve të Kosovës dhe Shqipërisë, e paraparë të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, për shkak të kushteve atmosferike është zhvendosur në stadiumin e KF 2 Korriku.
Orari i ndeshjes mbetet i njëjtë, pra në orën 12:00. Kjo ndeshje zhvillohet për nder të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës’’, shkruhet në njoftimin e FFK.
Pjesëmarrës në vëllazëroren e Pavarësisë do të jenë yjet e futbollit shqiptarë si Erjon Bogdani, Blendi Nallbani, Altin Lala, Alban Bushi, Geri Cipi, Ahmet Beselica, Eroll Salihu, Muharrem Sahiti, Isa Sadriu dhe shumë të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.