Analize

Kosovë-Serbi, “beteja” e kufijve zhvendoset në Nju Jork

“Marrëveshja me Serbinë është rruga e vetme që Rusia të heqë veton ndaj Kosovës në Këshillin e Sigurimit në OKB”. Me këtë deklarate, Presidenti Hashim Thaçi paralajmëroi në një konferencë për shtyp të martën se beteja Beograd-Prishtinë është zhvendosur tanimë në arenën ndërkombëtare. Kreu i Kosovës pritet të takohet me Presidentin amerikan Donald Trump, në pallatin e qelqtë në Nju York, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ose në një pritje zyrtare në Shtëpinë e Bardhë në ditët në vijim. Nëse ndodh kjo e dyta, atëherë çështja e Kosovës do të marrë rëndësi të jashtëzakonshme, duke rihapur edhe njëherë betejën SHBA-Rusi dhe e duke berë edhe njëherë Amerikën që të shkruajë fatit të shqiptarëve.

Përse Trump është përqendruar tek Kosova?

Ballkani u shfaq për herë të parë në radarin e politikës së jashtme të presidentit Donald Trump në fund të muajit të kaluar, kur John Bolton, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare tha gjatë një vizite në Ukrainë se "Shtetet e Bashkuara nuk do të kundërshtonin një shkëmbim territorial mes Kosovës dhe Serbisë”. Pastaj erdhi lajmi se Trump kishte diskutuar çështjen e Kosovës në një telefonatë me kancelaren gjermane Angela Merkel. Pa kaluar ende një muaj nga kjo telefonatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka sinjalizuar se do të takohet me Presidentin Hashim Thaçi. Për ekspertët amerikanë është më e qartë se Trump dëshiron t’i japë fund njëherë e mirë konfliktit mes Beogradit dhe Prishtinës, pasi Kosova ka një rëndësi të madhe strategjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me sa duket në Uashington, ekspertët janë të bindur se janë shumë pranë zgjidhjes përfundimtare të konfliktit të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe Trump ka vendosur ta çojë përpara këtë nismë.

Ish-zëvëndpresidenti amerikan Joe Biden pritet në Kosovë nga Presidenti Hashim Thaçi

Si udhëheqësit amerikanë, ashtu edhe europianë e kanë bërë të qartë se Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet përpara se të anëtarësohen në BE. Gazeta amerikane “Daily Signal” shkruan se të gjithë kishin imagjinuar se prirja fillestare e Trump ishte që të qëndronte larg Ballkanit. Por megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kuptuar sipas ekspertëve, se Kosova ka potencial që të jetë një sukses i madh i politikës së jashtme të Amerikës dhe kërkon një investim minimal të kapitalit politik.

Së pari, Kosova është vendi më pro-amerikan në botë. Kryeqyteti i Kosovës është i vetmi qytet në glob ku mund të gjesh Bulevardin Bill Clinton, Sheshin George W. Bush dhe Rrugën  Bob Dole. Madje, sipas ish zv/ministrit të jashtëm Petrit Selimi, miratimi i marrëveshjes me Serbinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishte siguria më e madhe për shqiptarët e Kosovës.  Së dyti, zgjidhja e konfliktit nuk i përket vetëm Kosovës dhe Serbisë, pasi behët fjalë për një çështje që mund të vendosë paqen përfundimtare ose të rizgjojë konfliktet e vjetra në Ballkan. Shtetet e Bashkuara sipas ekspertëve e kanë të qartë se janë rojtarët e këtij procesi paqeje dhe krahasuar me Sirinë, Korenë e Veriut, Ukrainën, Lindjen e Mesme, Afganistanin dhe vendet e tjera të zhytura në konflikt, mbyllja e marrëveshjes për Kosovën do të jetë shumë më e lehtë.

Kadri Veseli ishte lideri i parë shqiptar që takoi Presidentin Trump. 

Ndryshimi i kufijve ishte një temë që diskutua në Uashington javë më parë nga Ministri i Jashtëm i Serbisë gjatë një takimi me dhëndrin e Presidentit Trump, Jared Kushner dhe këshilltarin e tij, John Bolton. Pas takimit, Ivica Daçiç deklaroi se “të gjitha kartat ishin hedhur në tryezë, duke përfshirë edhe ndryshimin e kufijve.”  Një burim diplomatik në Prishtinë sugjeroi se pozicioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të favorizuar arritjen e një marrëveshje të shpejtë është nxitur nga shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan. Nuk dihet ende mesazhi që Presidenti Trump do t’i komunikojë Thaçit gjatë takimit dypalësh, por ai do të jetë me siguri vendimtar për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Beteja që e pret Kosovën në OKB

Para takimit me Trump, sfida e  parë diplomatike e Prishtinës do të nisë më 25 shtator në Nju Jork, kur të nisin punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas ekspertëve perëndimorë, ky do të jetë një rast i mirë për diplomacinë e Kosovës për të lobuar për çështjet që janë me interes për vendin. Burime nga Prishtina zyrtare bëjnë të ditur se  tashmë në Nju Jork ka arritur një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Jetlir Zyberaj, këshilltari i latë i ministrit Behgjet Pacollit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se delegacioni i Kosovës në Nju Jork po qëndron prej disa ditësh. Ndërkohë, të hënën në SHBA ka arritur edhe zëvendëskryeministri Pacolli, i cili gjatë kësaj periudhe 10-ditore do ta ketë një agjendë jashtëzakonisht të ngjeshur me shumë takime bilaterale, me përfaqësues ose udhëheqës të shteteve nga mbarë bota. Mësohet se pjesë e delegacionit të Kosovës do të jenë dhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Sipas ekspertëve në Prishtinë, gjatë qëndrimit në Nju Jork, delegacioni i Kosovës do të orientohet në realizimin e të paktën dy objektivave, lobimi për anëtarësimin e Prishtinës në Interpol dhe realizimin e takimeve bilaterale që do të çojnë në në shtimin e numrit të vendeve që njohin Pavarësinë.

Por, a mund të shihet qëndrimi i delegacionit të Kosovës në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si mundësi e jashtëzakonshme për realizimin e objektivave diplomatike? Eksperti Artan Muhaxhiri shprehet mjaft skeptik, duke deklaruar për “REL” se  deri më tani Kosova nuk ka arritur t’i shfrytëzojë takimet bilaterale me diplomatët botërorë.

Asambleja  e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara

“Mundësitë janë të jashtëzakonshme, por qasja e Kosovës është e zakonshme. Duke e njohur mënyrën se si funksionon diplomacia e Kosovës, nuk besoj se do të arrihet ndonjë sukses i madh”, u shpreh Muhaxhiri. “Diplomacia nuk i ka shfrytëzuar maksimalisht mundësi të tilla. Kosova është prej disa kohësh në disavantazh diplomatik ndaj Serbisë, e cila ka fituar përparësi edhe në prezantimin e mediave ndërkombëtare”, shton ai.

Muhaxhiri shprehet se edhe nëse Kosova arrin anëtarësimin në Interpol, do të jetë më shumë si rezultat i ndonjë kompromisi apo marrëveshjeje të bashkësisë ndërkombëtare dhe jo arritje e diplomacisë së saj. Paralajmërimi i tij erdhi pak pasi Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, deklaroi se Beogradi do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe do të lejojë anëtarësimi e saj në OKB "kur të fluturojnë derrat”. Komentet e tij pak para mbledhjes së Kombeve të Bashkuara nuk janë rastësi, pasi Serbia është e vetëdijshme se ka një armë të fuqishme në OKB: Rusinë. Për dhjetë vjet, Moska ka bllokuar Kosovën, duke dëmtuar përpjekjet e Prishtinës për të përfunduar procesin e saj të transformimit dhe për t'u bërë një anëtar i organizatave të  rëndësishme ndërkombëtare.

Burimet: "Daily Signal", "REL" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë