Lajme

Kosovarët nuk po e preferojnë Shqipërinë

Kosova rezulton të ketë uljen më të ndjeshme të hyrjeve të qytetarëve në Shqipëri për muajin shtator edhe për nëntëmujorin, teksa maqedonasit janë rritur në numër.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shtator 2019, ka një rënie me 5,2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në këtë muaj hyrjet e shtetasve të huaj në vend kanë rënë me 11,0 % krahasuar me shtatorin e një viti më parë.

Por ndryshon tabloja për nëntë mujorin, ku numri i shtetasve të huaj në vendin tonë është rritur me 7,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Në Shtator 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Maqedonia ka pasur rritjen më të madhe me 68,9 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Kosova me 37,3 %.

Nga tabela e INSTAT vihet re se përgjatë nëntë muajve të 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe. Kurse hyrjet nga Polonia kanë vijuar të bien duke regjistruar uljen më të ndjeshme.
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit Shtator 2019, kanë shënuar ulje me krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shtator 2019 krahasuar me Shtator 2018, janë rritur.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2019, janë ulur.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë përgjatë nëntë muajve të 2019, është 4 mln e 461 mijë duke u rritur 9,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë