Politike

Kosova, shqetësim në Senatin amerikan

Senatori amerikan i Konektikatit, Chris Murphy njihet si një mik i hershëm dhe i palëkundur i shqiptarëve. Ai ka marrë pjesë në mënyra aktive në takimet e organizuara nga komuniteti shqiptaro-amerikan, madje ka vizituar edhe Tiranën në vitin 2014.

Pikërisht përballë këtij senatori u vendos i emëruari i ri i Donald Trump për ambasador në Kosovë, diplomati veteran Philip Kosnett. Në seancën dëgjimore, Chris Murphy iu referua takimit të zhvilluar në fund të korrikut mes ministri të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç me këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner dhe komentet pas këtij takimi.

“Qëndrimi amerikan është tani më pranë qëndrimit tonë”, deklaroi në atë kohë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç.

Senatori Chris Murphy

Kjo deklaratë ka nxitur spekulime mbi qëndrimin amerikan për këtë çështje. Ky ishte shqetësimi i ngritur edhe nga Senatori Murphy për të emëruarin e Donald Trump për ambasador në Kosovë, Philip Kosnett.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbështesim dialogun mes dy vendeve. Mendojmë se ka rëndësi kritike që të dyja vendet të avancojnë për të kapërcyer tensionet e vjetra. Ne besojmë se është me rëndësi kritike që të dy vendet të jenë në gjendje të diskutojnë ide të reja”, deklaroi Philip Kosnett.

Por, a nënkupton togfjalëshi “ide të reja” hedhjen për diskutim në tryezë të ndryshimit të kufijve dhe deri në ç’pikë Shtetet e Bashkuara do të shtyjnë në këtë pjesë?

“Nuk e them për të mbuluar idenë e shkëmbimit të territoreve. Ne duam të shohim se çfarë idesh do të paraqesin dy qeveritë. Synimi ynë strategjik afatgjatë është të shohim stabilitet në rajon, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vjetra mes dy vendeve në forma që forcojnë lidhjet e dy vendeve me Perëndimin”, deklaroi Kosnett.

I emëruari i Donald Trump për Ambasador në Kosovë, Philip Kosnett

Kosnett thotë se një marrëveshje përfundimtare do të fuqizonte stabilitetin rajonal dhe do të shtronte terrenin për integrimin e dy vendeve në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, në Prishtinë e Beograd mediat kanë pasqyruar një deklaratë të Ambasadës Amerikane. Sipas kësaj deklarate, Ambasada mbështet dialogun mes dy vendeve, por thotë se asnjëra prej vendeve nuk do të ketë krejtësisht dorë të lirë në marrëveshjen finale.

“Palët do të kenë liri të plotë për të vendosur për fatin e tyre, përsa kohë planet e diskutuara janë të zbatueshme, të qëndrueshme dhe nuk çojnë në destabilizim të rajonit, apo të ndonjë rajoni tjetër në botë”, thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë