Analize

Kosova shkon e përçarë në Samitin e Berlinit

Në fokus kryesor të Samitin e Berlinit do të jetë vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa do të ushtrohet presion ndaj palës kosovare që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe. Analistët në Prishtinë shprehen se kryeministri Ramush Haradinaj do të përsërisë qëndrimin e tij për mosheqjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe për moskorrigjimin e kufijve me Serbinë, por nga ana tjetër do të kërkojë nga Gjermania e nga Franca liberalizimin e vizave për Kosovën. Nga ana tjetër, sipas Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, pala serbe do të kërkojë heqjen e taksës dhe kompromis në fazën finale të dialogut.

Ramush Haradinaj, Angela Merkel

“Në këtë takim duke qenë se dialogu Kosovë-Serbi paraqet një nga çështjet e rëndësisë së madhe me të cilat është duke u marrë Politika e Jashtme e BE-së, është e pashmangshme të diskutohet edhe për dialogun, por edhe për çështje që lidhen me këtë proces e të cilat e kanë bllokuar fillimin e tij. Vlerësoj se në këtë samit do të ushtrohet trysni ndaj palës kosovare, në veçanti ndaj kryeministrit Haradinaj për heqjen e taksës në mënyrë që procesi i dialogut të fillojë”, shprehet Cakolli.

“Nëse merret parasysh insistimi i kryeministrit për të mos e hequr taksën, besoj se do të kemi nëse jo përplasje së paku polemika të vazhdueshme duke qenë se tanimë e kemi parë që Serbia e ka shfrytëzuar taksën për bllokim të dialogut si një nga argumentet kryesore në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare me vendet e tjera”, thotë ai.

Eugen Cakolli

Cakolli mes të tjerash ka shtuar se ajo që e dobëson palën kosovare në këtë samit është edhe mungesa e unitetit të liderëve shtetërorë porsa i përket dialogut me Serbinë, qoftë për idenë për ndryshimin e kufijve ose edhe në lidhje me pezullimin ose jo të taksës doganore ndaj produkteve serbe.
“Sa u përket kontradiktave të brendshme që presidenti me vetë kryeministrin i kanë sa i përket formatit të dialogut dhe çështjes së taksës, besoj se kjo do të ndikojë negativisht për Kosovën, sidomos në pozicionin e saj negociues duke qenë se Kosova, në rast se dy liderët shkojnë me qëndrime të kundërta, do të paraqitet si vend joserioz dhe që nuk ka një qëndrim të unifikuar mbi çështjet e brendshme”, është shprehur Cakolli.
Deputetja e opozitës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu shprehet se nuk është brengosës fakti që Serbia dhe Kosova po shkojnë me qëndrime të kundërta në Samitin e Berlinit, por shqetësues është fakti se institucionet kosovare nuk po shkojnë me një qëndrim të unifikuar. “Ne nuk na brengosin qëndrimet e kundërta të Kosovës me Serbinë në Samitin e Berlinit, por ajo që është brengosëse është se ka qëndrime të kundërta nga institucionet e Kosovës, qoftë presidenti ose kryeministri i vendit, të cilët të paktën publikisht kanë dhënë qëndrime të kundërta në raport edhe me taksën, por edhe me dialogun me Serbinë”, ka thënë Haxhiu.

Albulena Haxhiu

Njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu shprehet se duhet patjetër që në Berlin të flitet edhe për vizat, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. “Do të ishte mirë sikur në Samitin e Berlinit të diskutohet edhe për vizat. Ka kohë që Kosova ka përmbushur kushtet për të siguruar vizat për qytetarët e vet. Por në anën tjetër me atë çfarë ka bërë kjo qeveri dhe përgjithësisht ky koalicion, mund të thuhet se ne vetëm kemi degraduar procesin e sigurimit të vizave që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm”, ka thënë Abdullahu.

Faton Abdullahu

Sipas tij, pushtetarët nuk po tregojnë se në Berlin do të diskutohet mbi të gjitha për dialogun me Serbinë. “Siç duket, pushtetarëve aktualë nuk po u pëlqen të tregojnë drejt e troç se çfarë do të diskutohet në Berlin. Atje do të diskutohet mbi të gjitha për dialogun Kosovë-Serbi dhe kjo është çështje për të cilën pushtetarët tanë po shkojnë atje të ndarë, në të vërtetë të përçarë. Atje do të diskutohet edhe për heqjen e taksës një çështje tjetër për të cilën në Prishtinë ka mosmarrëveshje deri në vlerësime diametralisht të kundërta”, është shprehur ai. “Nga Berlini lajmi më i mirë që mund të vijë është nëse sugjerohet që koalicioni aktual qeverisës të shkojë në shtëpi dhe të kemi zgjedhje të parakohshme. Ky koalicion nuk është në gjendje të na sjellë diçka të mirë nga Berlini edhe përkundër vullnetit të mirë të Gjermanë dhe Francës”, ka deklaruar Faton Abdullahu.

Vuçiç: Harrojeni se na bëni dot presion!
Ndërkohë, gjatë vizitës së tij në Kinë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u shpreh se në Berlin shpreson që të dyja vendet do të gjejnë një qasje të ‘balancuar’ për të trajtuar problemet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje për të ardhmen. Megjithatë ai tha se “askujt të mos i shkojë ndërmend se mund të bëjë presion Serbisë për të bërë lëshime.
“Në Berlin, delegacioni ynë do të jetë i vetmi që do të kundërshtojë idenë e një Kosove të pavarur. Pozicioni ynë nuk është i lehtë, por sa i përket asaj që do të ushtrojnë presion që Serbia të bëjë disa lëshime, askush nuk do ta shohë atë film “, ka thënë Vuçiç.
Presionin që pritet të ushtrohet mbi Serbinë, ndërkaq, e kanë pohuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, si edhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq.

Si ka ndikuar vendosja e taksës
Gjermania ka marrë tashmë vendin e parë përsa i përket nivelit të eksportit të mallrave në Kosovë. Ky shtet prin me produktet e saj në Kosovë, që prej vendimit të Qeverisë se Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, më 21 nëntor të vitit të kaluar. Para vendosjes së taksës, për dy dekada radhazi Serbia ka qenë shteti me sasinë më të madhe të mallrave në tregun e Kosovës, kurse tashmë radhitet e fundit.
Në muajin mars të këtij viti, sipas të dhënave publikuara në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti i produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës ka qenë rreth 535 mijë euro, përderisa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera e mallrave të Serbisë që kanë hyrë në Kosovë ishte mbi 36 milionë euro.
Ky shtet në ditë ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milionë euro. Ndërkaq, eksporti i mallrave nga Kosovë në këtë shtet në mars të vitit të 2018, ka qenë mbi 2 milionë euro, kurse muajin e kaluar eksporti në ka rënë në 1.5 milion euro. / “Zëri”, “Radio Free Europe”, “Bota Sot”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë