Treg

“Kosova ka përfituar ekonomikisht dhe politikisht nga taksa”

Taksa doganore ndaj Serbisë rezulton të ketë përmbysur bilancin tregtar ndaj saj. Qeveria e Kosovës konfirmon se vendi ka përfituar ekonomikisht nga taksa dhe eksportet janë rritur tre-fish.

Haki Shatri, këshilltar ekonomik i kryeministrit Haradinaj, është shprehur për të përditshmen “Zëri” se nga taksa 100 % kanë përfituar prodhuesit vendorë, që sipas tij u janë rritur kërkesat dhe normat, u është shtuar qarkullimi e u janë rritur të ardhurat. Përveç përfitimit ekonomik, thotë Shatri ka pasur edhe përfitim politik.

"Në aspektin ekonomik mendoj se prodhimi vendor ka përfituar shumë. Kompanive prodhuese vendore brenda 3-4 muajve u janë rritur kërkesat dhe normat, e kanë rritur numrin e të punësuarve, e kanë shtuar qarkullimin dhe i kanë rritur të ardhurat, domethënë ka pasur efekte tepër pozitive për prodhuesit vendorë. Mirëpo në këtë rrafsh nuk është dëmtuar as konsumatori, sepse produktet e Serbisë janë zëvendësuar me kohë me mallra tjera të ngjashme", është shprehur Shatri.

Në aspektin politik, ai ka evidentuar se me vendosjen e taksës, Kosova ka treguar se mund të marrë vendime që janë në interes të vendit. Sa për heqje, a i tha se për këtë mund të bëhet fjalë kur të plotësohen kushtet e thëna më parë.

"Politikisht me vendosjen e kësaj takse Kosova i ka treguar botës se jemi shtet i pavarur dhe dëshirojmë që Serbia të sillet ndaj nesh me respekt si ndaj çdo shteti tjetër të pavarur. Prandaj para faktorit ndërkombëtar e kemi pranuar se ne e kemi këtë punë në dorë dhe konform Kushtetutës, Qeveria e Kosovës merr vendime të cilat i sheh që janë në interes të vendit. Prandaj nuk e kemi ndërmend ta heqim taksën derisa të plotësohen kushtet nga Serbia, të cilat Qeveria e Kosovës i ka përmendur shumë herë", ka thënë Shatri.

Në të njëjtën kohë kuptohet se qytetarët janë vetëdijesuar pas tarifës ndaj produkteve serbe dhe numri i këtyre produkteve është shumë simbolik në raftet e dyqaneve në Kosovë.
Shefi i Kabinetit i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se deri më tani ka vetëm aludime sa i përket kontrabandës së mallrave serbe.

Pas insinuimeve për kontrabandë nga ministri Shala, është rritur inspektimi. Sipas të dhënave, deri më sot në bashkëpunim me Doganën dhe ATK janë bërë mbi njëmijë inspektime në gjithë Kosovën. Në bazë të rezultateve në asnjë rast nuk është evidentuar kontrabandë, pra produktet ose kanë pullat e rregullta doganore ose kanë paguar taksën 100%.

Sipas këshlltarit për tregtinë, pas vendosjes së taksës, pala boshnjake ka pasur një reflektim pozitiv madje, ata kanë kërkuar që të kiet mirëkuptim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë