Treg

Kosova ia doli. Shqipëria e paaftë të eksportojë mish dhe bulmet në BE

Kosova arriti  një fitore të madhe kur një ditë më parë (të enjten, 9 qershor) Bashkimi Europian  e përfshiu në listën e saj të  vendeve të treta me të drejtë eksporti për produktet ushqimore me origjinë shtazore.

BE  e mori këtë vendim pasi një audit nga ekspertët e saj, të cilët arritën në përfundim se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovës ka plotësuar kritert dhe ka sistemin brenda standardeve të cilësisë dhe sigurisë që kërkon Unioni.

Gazeta “Si” nuk mundi të mësojë se kur Kosova ka nisur aplikimin për të llogaritur se sa kohë i është dashur të marrë këtë leje eksporti. Por edhe  sikur  ky proces të  ketë nisur  që ditën e parë të pavarësisë së saj, rreth 12 vjet më parë, kjo kohë është më e shkurtër se Shqipëria, e cila ende nuk ka një leje të tillë.

Në Shqipëri, kompania Erzeni, një ndër kompanitë më të mëdha në vend për përpunimin e qumshtit dhe nënprodukteve të tij, para pak kohësh ka humbur një kontratë bashkëpunimi për të eksportuar djathin kaçkavall të deles në Itali.

“Një furnitor italian ka qenë në Shqipëri dhe ka provuar djathin kaçkavall të deles që ne prodhojmë dhe i pëlqeu. Duke u nisur nga standardet tha se do të ecte shumë në tregun italian. Unë i dërgova letër Ministrisë së Bujqësisë për të bërë të mundur një bashkëpunim të tillë, por nuk mora praktikisht asnjë përgjigje. Ne e humbëm atë mundësi”, thotë për gazetën “Si” Erzen Begaj i kompanisë “Erzeni”.

Ai shprehet se nuk ka një marrëveshje të shtetit shqiptar me BE-në për eksport të produkteve dhe nënprodukteve shtazore shqiptare në vendet e Bashkimit Europian.

Megjithatë “Erzeni” prej dy javësh ka nisur eksportin e djathit kaçkavall në Amerikë në sasinë e 6 tonëve.

Kurse një fermer dhe agropërpunues nga Lushnja, i cili ka bërë një investim në Lushnje prej gati 5 mln euro me 1 mijë krerë lopë dhe një fabrikë përpunimi të qumshtit, thotë se pamundësia për të eksportuar në vendet e BE-së është neglizhencë për të plotësuar disa kërkesa burokratike dhe sipas tij ka të tjetër sipërmarrës që i plotësojnë kërkesat për të eskportuar në vendet e Bashkimit Europian.

Mjeku veteriner dhe fermeri Ervin Resuli shkon më tej duke bërë me faj qeverinë që Shqipëria është në karantinë përsa i përket eksportit të produkteve shtazore dhe nënprodukteve të tyre.

“Ne nuk eksportojmë dot në BE produkte dhe nënprodukte shtazore për shkak se këto vende kanë standarde të larta, pasi këto  produkte janë delikate, me potencial të lartë transmetimi të sëmundjeve të ndryshme. Autoriteti Kombëtar Shqiptar  i Ushqimit nuk i plotëson kushtet dhe ligji për veterinarinë i sapo miratuar në parlament nuk i përafrohet BE-së ku ne synojmë të integrohemi. Nuk e kuptoj pse duhej të miratohej ai ligj ashtu?”, shprehet Resuli për gazetën “Si”.

Duke iu referuar ligjit për veterinarinë ai komenton se ky ligj centralizon shërbimin veterinar duke e bërë atë të pabesueshëm.

Me këtë ligj shpjegon Resuli, fryhet fatura financiare e shtetit sepse veterinerët zyrtarë do të  jenë me rrogë mujore gjatë gjithë kohës.

Ky ligj, thotë ai, nuk i përafrohet asnjë vendi në Ballkan apo në Europë, pra i papërafruar me ligjet e BE-së.

 “Ky ligj dhe ndyshimet që janë bërë e kthejnë Veterinarin hapa pas si në vitet 90-të, ku shteti vetfirmos e vetvulos , pra nje ligj tipik komunist, që gjendet vetëm në vendet komuniste si Kubë apo Kore ! Po ashtu shkëput zinxhirin midis Veterinerit Zyrtar dhe atij privat ! Merr kompetenca veterineri zyrtar dhe i hyn në treg  veterinerve privat me kryerjen e një sërë shërbimesh veterinare. Ka konflikt te hapur interesi pasi nuk mundet që profilaksinë veterinare (vaksinat që subvencionohen nga shteti )  Veterineri Zyrtar ta kryejë dhe njëkohesisht të bëjë supervizimin apo ta çertifikojë atë si shërbim ! Nuk mund ti shërbejë fermerit pas orarit zyrtar 08-17 dhe të shtuna e të diela apo festa që në total fermeri mbetet i zbuluar për gati 5 muaj pa shërbim”- shpjegon Resuli duke theksuar se centralizimi I shërbimeve do të sjellë zhvillimin e disa tenderave për bazë material që më parë ishin në kosto të veterinerëve privatë.

Ai thotë se ferma e tij i plotëson standardet për të eksportuar, ka patur edhe kërkesa, por puna çalon tek shteti. Resuli shpjegon që i vetmi sistem, data bazë për feremerët në Ministrinë e Bujqësisë është sistemi Ruda, që nuk është i besueshëm as për ata vetë dhe është shumë larg realitetit që ndodh në terren.

Sipas Kapitullit 12 “Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Fitosanitare” që në 2018-ën, Shqipërisë i është këkruar të paraqesë nivelin e përafrimit  e të zbatimit të legjislacionit të saj me acquis të Bashkimit Europian, si dhe planet e strategjitë e saj për këtë qëllim. Por ligji mesa duket edhe pas dy viteshdo të jetë për cdo arsye tjetër përveçse asaj për të hapur eksportet  e mishit dhe bulmetit drejt regjeve të BE-së.

Në mos nuk ka qëllime të mbrpashta por vetëm padije, shqiptarët e Kosovës mund të na tregojnë se si ia arritën.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë