Politike

Kosova heq”reciprocitetin” me Serbinë, por vendimi jo unanim

Reciprociteti i vendosur nga Albin Kurti me Serbinë ishte edhe më jetëshkurtër sesa vetë Qeveria e kreut të Vetëvendosjes. Qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti e ka shfuqizuar këtë vendim gjatë mbledhjes së pazakontë të zhvilluar në fundjavë.

Vendimi u mor nga Kurti në fund të muajit mars dhe parashikonte zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë gradualisht dhe në fund të majit, disa javë pasi kishte humbur votën e mosbesimit në Kuvend dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hapi rrugë mandatimit të Avdullah Hotit nga Hashim Thaçi u kalua në fazën e dytë, që parashikonte bllokimin e të gjitha mjeteve që hynin nga Serbia që nuk pranonin në dokumentacion shënimin “Republika e Kosovës”.

Megjithatë, vendimi i Qeverisë së kryesuar nga LDK nuk ka qenë unanim. Ministrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt kanë votuar kundër. Vetë Haradinaj, që i la postin Albin Kurtit kishte vendosur një taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe qortoi vendimin e Kurtit për heqjen e kësaj takse dhe vendosjen e masës së reciprocitetit.

Si taksa e Haradinajt ashtu edhe reciprociteti i Kurtit u qortuan fort nga ndërkombëtarët, që kërkuan heqjen e tyre duke argumentuar se këto masa minonin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Hoti e vlerësoi me rëndësi vendimin e fundit pikërisht në këtë drejtim.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për heqjen e pengesave për vazhdimin e dialogut. Presim që edhe pala serbe të heq të gjitha pengesat, por ne ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran që të vendosim masa për ruajtjen e sovranitetit tonë në përputhje me partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi ai.

Kryeministri i Kosovës ka deklaruar se vendimi është marrë në përputhje me qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe shprehet i gatshëm që shumë shpejt t’i bashkohet tryezës së dialogut me Serbinë, dialog që thotë se do ta drejtojë vetë dhe jo Hashim Thaçi.

“Këto vendime vijnë si rezultat i koordinimit me partnerët ndërkombëtarë. Zotimet që i kemi marrë janë që t’i heqim pengesat e dialogut. Edhe ambasadorit amerikan dje ia konfirmova këtë vullnet. Janë hequr të gjitha pendesat për një periudhë kohore. Nëse dialogu nuk jep rezultatet e pritura ne ruajmë të drejtën për t’i vendosur sërish”, u shpreh ai.

Heqja e këtyre masave është mirëpritur nga Presidenti Hashim Thaçi, që thotë se pas këtij vendimi presioni ndërkombëtar duhet të bjerë mbi Serbinë dhe procesi i dialogut të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.

“E mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e të gjitha barrierave, që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”, shkruan Presidenti i Kosovës.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa e vlerësoi si vendim të guximshëm dhe në përputhje me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë Hoti për heqjen e të gjitha pengesave për dialog që qon në njohje reciproke ndermjet Kosovës dhe Serbisë, është vendim i guximshëm. Qeveria Hoti dëshmoi përkushtimin e saj për partneritet strategjik me SHBA dhe BE. Pritet që hapa të njëjtë të ndërmarrë edhe Serbia; të tregojë se a është vërtetë e interesuar për dialog që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë”, thotë ai, duke kërkuar unitet në mbështetjen e Qeverisë së re në dialogun me Serbinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë