Politike

Mustafa mund të shkarkojë Osmanin: Tradhti ndaj LDK-së

Deputetja më e votuar e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani duket se nuk do të ketë më vend në koalicionin e ri. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka sulmuar ashpër kryeparlamentaren duke e akuzuar për bashkëpunim me ish-kryeministrin Albin Kurti, për të ndaluar formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai e cilëson vendimin e Vjosës për të mos udhëhequr seancën parlamentare të miratimit të qeverisë Hoti si një “tradhti” ndaj LDK-së dhe ikje nga përgjegjësia. Kreu i LDK-së duke se sinjalizoi shkarkimin e saj si kryeparlamentare, duke e akuzuar për “pabesi”.

Mustafa shkruan në një postim në Facebook se bojkotimi i seancës nga Osmani dhe Kurti nuk funksionoi dhe se Hoti arrinte ta merrte mandatin.

“Vjosa Osmani iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i pabesë dhe i papërgjegjshëm”, ka shkruar Mustafa. Kreu i LDK-së, ka thënë po ashtu se deklarata e Kurtit që nuk ia dorëzoi sot detyrën Avdullah Hotit është e ulët.

“Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën Kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte  Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetveten me votën e mbi  deputetëve”, ka thënë Mustafa.

Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa, Gazeta Si, 2020

 Sulmi i ashpër ndaj “fytyrës” së LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit vjen pasi Osmani deklaroi dje se qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti nuk përfaqëson vullnetin qytetar.

“Në radhë të parë një qeveri, e cila në tërësi varet nga votat e Listës Serbe dhe Beogradi nuk mund të jetë përfaqësuese e vullnetit qytetar”, deklaroi Osmani.

Osmani nuk bëri të ditur nëse do të vazhdojë të mbajë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, duke sinjalizuar se tensionet mes saj dhe Mustafës ishin të mëdha.

Pak përpara miratimit të qeverisëe Hoti nga Kuvendi, Osmani kërkoi formimin e një qeverie teknike me mandat gjashtë deri në nëntë muaj dhe shkuarjen e Kosovës në zgjedhje pas pandemisë së koronavirusit.

Qeveria Hoti është votuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës me 61 vota pro, 24 kundër dhe një abstenim.

Votë vendimtare ishte ajo e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i cili në fillim të seancës tha se do të votonte pro qeverisë së re, pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e kishin vizituar në shtëpinë e tij dhe e kishin bindur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë