Politike

Heqja e reciprocitetit, Kurti e Osmani kundër: Cenon sovranitetin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, njëkohësisht nënkryetare e Lidhjes Demokratike ka reaguar fill pas vendimit të Qeverisë “Hoti” për heqjen e menjëhershme të masave të reciprocitetit me Serbinë të vendosura nga Albin Kurti.

“Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë! Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët!”, shkruan Osmani.

Ajo thotë gjithashtu se vendimi cenon parimet e Kushtetutës së Kosovës.

“Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, mbyll reagimin e saj Osmani.

Në lidhje me vendimin ka reaguar edhe Albin Kurti. Ai thotë se ky është shërbimi më i mirë që i bëhet Serbisë nga një qeveri, që e cilëson të paligjshme.

“Edhe të shtunën punojnë e mbajnë mbledhje vetëm dhe vetëm që ta heqin reciprocitetin ndaj Serbisë. Kosova ka pa numër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës”, shkruan ai.

Kurti thotë se reciprociteti po zbatohej nga serbët dhe cilësimin e këtyre masave si “pengesa” për dialogun nga ana e Kryeministrit Avdullah Hoti e interpreton si mvedhje me faj për Kosovën për mungesën e bisedimeve deri më tani.

“Këso shërbimi të mirë Serbisë nuk ka mundur as vetë Beogradi ta mendojë. Përveç që dialogu do të jetë asimetrik, sepse me reciprocitet të braktisur nga ana e Kosovës, aty pala kosovare hyn si fajtore për vonesën në rifillimin e dialogut”, deklaron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë