Futboll

Kosova, fëmijët e luftës që sfidojnë Spanjën

Pas humbjes 0-3 në Prishtinë ndaj Suedisë, Kosova do të përpiqet të bëjë surprizën e madhe mbrëmjen e sotme në Sevilla përballë Spanjës në kualifikueset e Katar 2022. Gazeta spanjolle “Diario Sport” ia ka kushtuar Kosovës një shkrim të veçantë për rrugëtimin e saj të vështirë në futbollin ndërkombëtar. Kosova do të përballet me Spanjën, njërin prej kundërshtarëve më të mëdhenj të pavarësisë së saj, për herë të parë të mërkurën në Sevilla në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit B Kualifikues për Botërorin Katari 2022.

Në fakt, shorti e vendosi Kosovën në një grup me tre shtete që s’e njohin pavarësinë e saj, Greqinë dhe Gjeorgjinë, përveç Spanjës. E vetmja në Grupin B që e njeh Kosovën është Suedia. Një ndeshje kjo që ka krijuar shumë debate edhe për shkak të trajtimit që i kanë bërë mediat spanjolle Kosovës të cilat kanë futur politikën në mes dhe e kanë injoruar përfaqësuesen dardane duke mos ia përmendur emrin në asnjë moment.

Duke e rrëfyer tregimin e vështirë të Kosovës për luftën me Serbinë më 1998, deri te pavarësimi më 2008 e deri te pranimi i Kombëtares në UEFA e FIFA më 2016, Sport iu tregoi spanjollëve se si lojtarët e Kosovës kanë kaluar shumë barriera deri më sot. Gazeta përmend faktin që shumë prej lojtarëve që do të paraqiten nesër kundër Spanjës ishin detyruar të iknin nga Kosova në vitet 1990, shkaku i terrorit serb, dhe tani janë kthyer për ta çuar përpara atdheun e vet. “Njëzet vjet pasi përjetuan luftë të rëndë, fëmijët e Kosovës të cilët u detyruan të iknin nga Kosova për të filluar një jetë të re në Suedi, Gjermani, Norvegji, Zvicër apo shumë vende të tjera në Evropë, u kthyen në rrënjët e tyre falë ekipit kombëtar, i cili pas shumë përpjekjeve për një kohë të gjatë tani mund të garojë si njëri prej ekipeve më të mira. Një ekip që ka kohë që tejkalon pengesa dhe i cili do të tentojë t’i vështirësojë gjërat Spanjës të mërkurën në orën 20:45” – shkruan Diario Sport.

Deri më tani, Kosova është përballur me disa vende që nuk e njohin pavarësinë e saj, si Greqia, Mali i Zi ose Ukraina, dhe vetëm para kësaj të fundit ata u desh të luanin në Poloni si vizitorë për shkak të pamundësisë së hyrjes në vend me pasaportat e tyre. Me këtë rast, RFEF ndezi polemikat duke iu referuar rivalëve të saj si "territor i Kosovës" . Ndërkohë, qeveria spanjolle ka urdhëruar mediat që ta quajnë ekipin "Federata e Kosovës" , një term që do të jetë i pranishëm në transmetimin e ndeshjes. Federata spanjolle ka këmbëngulur, megjithatë, se pritja që do t’ia bëjë Kombëtares së Kosovës me himn kombëtar dhe flamur, nuk përfaqëson qëndrimin e shtetit spanjoll. Verdhekaltrit mbërritën në Sevilla të hënën pasdite dhe sot do ta kryejnë një seancë stërvitore në stadiumin “La Cartuja”.

Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja. Sidoqoftë, Spanja është tërhequr nga qëndrimi e saj dhe do t’i ofrojë Kosovës pritje si çdo kombëtareje tjetër të mërkurën në Sevilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë