Ne rrjet

Kosova drejt një qeverie nën kontrollin de fakto të Thaçit?

Kryeministri Albin Kurti ra, por sipas gazetës austriake “Der Standard”, lideri i ri de fakto i Kosovës mund të jetë presidenti Hashim Thaçi.

Gazeta shkruan se politikat e administratës amerikane të Donald Trump po krijojnë një “tërmet politik’’ në Kosovë. Sipas medias së njohur, SHBA-ja doli kundër europianëve dhe mbështet votimin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

“Rrëzimi i qeverisë nuk ka asnjë lidhje me krizën e koronavirusit ose me masat kundër saj, por me të dërguarin amerikan për Kosovën dhe Serbinë, drejtorin e inteligjencës së Donald Trump, Richard Grenell. Ky i fundit ka tërhequr në anën e tij LDK-në, pasi dëshiron të arrijë një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës së bashku me Thaçin dhe Presidentin serb Aleksandër Vučić”, shkruan “Der Standard". Detyra e Grenell është t’i sigurojë shefi të tij një “sukses” në politikën e jashtme para zgjedhjeve në SHBA. Kurti ishte kundër një marrëveshje të tillë jo transparente dhe prandaj duhet të rrëzohej.

Sipas gazetës, në Kosovë pritet që së shpejti të formohet një qeveri tjetër nën kontrollin de fakto të Thaçit, edhe pse Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Zvicra janë kundër rënies së qeverisë VV-LDK.

“SHBA ose Grenell dhe Trump kanë tendencë të manovrojnë situtaën nga jashtë. Besueshmëria dhe popullariteti i Thaçit është i ulët, dhe duke u mbështetur tek ai, SHBA nën Trump ka më shumë të ngjarë të humbasë ndikimin, pa marrë parasysh se si lufta për pushtet përfundon në një afat të shkurtër.,” thotë Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Europës Juglindore në Universitetin e Grazit.

Sot shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadorit të tyre në Kosovë, Philip Kosnett, i kanë kërkuar presidentit Thaçi që pas rrëzimit të Kurtit, pas vetëm 51 ditësh në detyrë, qeveria e re të formohet bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

Lajmin e bëri me dije vetë presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili tha se Kosova është e bekuar me miqësinë e SHBA-ve, e cila po forcohet në këto kohë të vështira.

“Pjesa dërrmuese e kosovarëve janë kundër rrëzimit të qeverisë. Njerëzit ndjehen të mashtruar, tradhtuar dhe të lënë vetëm. Për më tepër, ka gjithnjë e më shumë tendenca autoritare. Disa u përpoqën të përfitonin nga pandemia. Për shembull, Thaçi i bëri thirrje policisë që të mos zbatojë masat e qeverisë për të luftuar krizën e Covid – 19”, thekson nga ana tjetër gazeta austriake.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë