Politike

Kosova, draft zyrtar për marrëveshjen me Serbinë

Kosova ka njoftuar zyrtarisht se ka bërë gati draftin për marrëveshjen me Serbinë, të cilën duket se do ta paraqesë në fillim të janarit në Bruksel.

Edhe pse të gjithë prisnin që Kuvendi i Kosovës të mblidhej për të diskutuar mbi delegacionit shtetëror që do të përfaqësojë Prishtinën në bisedimet me Serbinë, seanca e jashtëzakonshme u anulua.

Në vend të kësaj, udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ekipi negociator për dialogun me Serbinë, kanë zhvilluar takimin e parë të përbashkët për t’u përgatitur për fazën finale të bisedimeve me Beogradin.

Pas takimi të thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është bërë e ditur se ekipi shtetëror i Kosovës është i ftuar për një takim në Bruksel më 8 janar të vitit 2019. Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti biseduan për koordinimin e veprimeve të përbashkëta si dhe për ndërtimin e konsensusit në lidhje me bisedimet e ardhshme me Serbinë.

Por mesa duket ky i fundit do të jetë disi më i vështirë për t’u arritur pasi kryeministri Haradinaj deklaroi se nuk do të lejonte që në tavolinat e bisedimeve të flitej apo negociohej për shkëmbim e territoreve. Ai tha se mirëpret çdo ide dhe sugjerim rreth dialogut Kosovë - Serbi, por se kjo tezë e mbështetur nga Thaçi dhe Vuçiç nuk do të ishte kurrë e pranueshme. Megjithatë, në një deklaratë ai bëri të ditur se ekipi negociator është pajisur tanimë me një draft-marrëveshje për zgjidhjen e konflikteve me Serbinë.

Pamje nga takimi

"Qeveria ka miratuar projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror si dhe ka sponsorizuar hartimin e një draft-marrëveshjeje që është shkruar nga ekspertët e Qeverisë, duke e pajisur ekipin negociator të vendit me një material gjithëpërfshirëse dhe të hapur", njoftoi Haradinaj.

Edhe pse përmbajtja e këtij drafti nuk është bërë e ditur, si Thaçi ashtu edhe Haradinaj janë zotuar për një proces transparent, duke deklaruar se rezultat i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, një kusht që i mundëson Kosovës anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Europian dhe në NATO.

Presidenti Thaçi tha se duke qenë më të koordinuar dhe të bashkuar, Kosova do të ketë edhe më shumë sukses në angazhimet për arritjen e një marrëveshje finale Beogras– Prishtinë

“Ky unitet i institucioneve, ekipit negociator dhe shoqërisë civile është një thirrje edhe për hezituesit e këtij procesi që të marrin përgjegjësi për përmbylljen e këtij procesi final Kosovë– Serbi”, tha Thaçi.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Kosova është në rrugë të mirë dhe kërkoi që në këtë proces të jenë të gjithë së bashku.


Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj

“Ky është i proces i lirisë është procesi i sovranitetit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran, është procesi gjatë të cilit Serbia të njohë Kosovën si shtet dhe do të anëtarësohemi OKB. I tërë procesi është transparent dhe përgjegjësia do të jetë e plotë. Kosova është zotuar për dialog para institucioneve para qytetarëve dhe para partnerëve ndërkombëtarë. Kosova ka njerëzit e sa, që do t’i dalin zot vendit të tyre”, tha Veseli.

I vetmi që dha detaje për përmbajtjen e bisedimeve ishte Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, përfaqësuesi i subjektit të vetëm opozitar në këtë ekip negociator. “Shumë shpejtë do të kemi edhe përmbajtjen e gjitha temave që ne i presim të zgjidhen në këtë dialog gjithëpërfshirës. Aty do të jenë të përfshira çështja e të zhdukurve, dëmet e lutës dhe çështja e pronave”, tha Ahmeti.

Por edhe pse ishin ftuar, në këtë takim nuk kanë marrë pjesë liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kuvendi i Kosovës kishte njoftuar një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohej për dokumentin e përgatitur nga Qeveria e Kosovës për marrëveshjen me Serbinë, por në mungesë të koalicionit qeveritar, seanca u anulua. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë thënë se koalicioni qeveritare po tregohet i papërgjegjshëm ndaj obligimeve dhe detyrave.

Por anulimi i kësaj seance duket se nuk do t’i ndalojë Institucionet e Kosovës të përgatiten për fazën finale të bisedimeve me Serbinë. Sipas Prishtinës zyrtare, në fund të këtij procesi, Kosova dhe Serbia do t’i japin fund shumë prej mosmarrëveshjeve dypalëshe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë