Ne rrjet

Kosova do të lidhet me hekurudhë me Serbinë, por jo me Shqipërinë

Tri ditë më parë, Ramush Haradinaj kërkoi për të dytën herë ndërtimin e një hekurudhe që të lidhte Prishtinën me Durrësin, por duket se nuk ishte në dijeni të faktit se Kosova kishte rënë dakord për të hapur të gjitha linjat hekurudhore që e lidhin me Serbinë.

Vetëm dy ditë pas marrëveshjes për rinisjen e fluturimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump njoftoi pas vizitës në Beograd se kishte negociuar një tjetër marrëveshje mes dy palëve: rikonstruktimin e të gjitha linjave hekurudhore që lidhin të dyja vendet.

Në një njoftim, Ambasada Amerikane në Beograd shkruan se Grenell kishte deklaruar se të dyja palët kishin rënë dakord për rihapjen e këtyre linjave hekurudhore.

“Detajet e kësaj marrëveshjeje do të bëhen publike të hënën”, shkruan Ambasada.

Por ashtu si edhe lajmi për nisjen e fluturimeve direkte, edhe kësaj radhe në opinioni publik në Kosovë u kap në befasi. 

Asnjë nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë nuk kishte njoftuar negocimin e një marrëveshjeje të tillë. Madje Grenell nuk e përmendi ndërtimi e linjave hekurudhore me Serbinë gjatë vizitës së tij në Prishtinë publikisht, por e bëri të qartë se nëse Serbia dhe Kosova do të gjenin gjuhën e përbashkët do të ishte falë investimeve ekonomike. Dhe linjat ajrore dhe ajo hekurudhore duket të jenë të dyja pjesë e këtyre projekteve.

Por ajo që është e paqartë është se kush ka negociuar dhe ka rënë dakord për ndërtimin e linjave hekurudhore në emër të shtetit të Kosovës. Ajo ndodhet prej 3 muajsh pa qeveri, ndërsa qeveria e kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, ka kërkuar dy herë brenda gjashtë muajsh ndërtimin e hekurudhave me Shqipërinë.

Në dalje e tij të fundit publike, Haradinaj kërkoi realizimin e një linje hekurudhore Prishtinë-Durrës, duke e cilësuar si shumë më të rëndësishme se çdo projekt i përbashkët me Serbinë.

Në një konferencë për shtyp kur do të pyetej nëse do të ketë marrëveshje me Beogradin për linjat hekurudhore pas asaj ajrore, Haradinaj, do të thoshte se më të interesuar janë që të jetësojnë linjën hekurudhore me Shqipërinë.

Haradinaj do të sqaronte se, fillimisht duhet të bëhet një analizë për këtë projekt. Por ndërkohë që lidhja e Serbisë dhe Kosovës është bërë fakt i kryer, për ndërtimin e linjës hekurudhore Kosovës-Shqipëri ka vetëm deklarata herë pas here.

E pyetur nga gazeta “Si”, Ministria e Infrastrukturës në Shqipëri, nëse ka një plan për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, thotë “Jo”, të paktën në planin afatshkurtër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë