Lajme

Kosova, 500 mijë euro ndihmë Shqipërisë

Veç ndihmës me forcat speciale në terren, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të dhurojë 500 mijë euro si ndihmë financiare për Shqipërinë për t’u ardhur në ndihmë viktimave të tërmetit që goditi vendin.

Vendimi është marrë nga Qeveria në detyrë e kryesuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Lajmin e ka bërë vetë publik përmes rrjeteve sociale ky i fundit.

“Qeveria në detyrë vendosi që Shqipërisë t’i ndahet shuma prej 500 mijë eurosh, si ndihmë financiare”, thotë ai.

https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/posts/1473068386150904

Po në këtë mbledhje është vendosur edhe verifikimi në terren për dëme të mundshme në banesa dhe materiale të tjera në zonat jug-lindore të Kosovës, aty ku u ndje më shumë tërmeti me epiqendër bregdetin e Durrësit.

“Duke qenë se ka lëvizje sizmike edhe në Kosovë, kam kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave të bëjë vlerësimin në nivel vendi të sistemit të alarmit dhe sinjalizimit për raste të kësaj natyre dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm që të jemi në gjendje gatishmërie. Nga institucionet publike, si spitalet, shkollat dhe institucionet e tjera, kërkoj që menjëherë të adresojnë protokollet e mobilizimit për emergjenca kombëtare, duke përfshirë caktimin e personave përgjegjës të reagimit ndaj emergjencave civile”, thotë Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë